Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë në vendim të ri për vlerësimin e kandidatëve për drejtues të prokurorive.

BalkanWeb mëson se kandidatët për drejtues prokurorish që organet e Vetting nuk i vetojnë brenda 3 muajve, pas këtij afati vlerësimin e tyre e merr KLP.

Pra një prokuror mund të garojë për drejtues prokurorie dhe pa qenë i vettuar nga organet kompetente, pasi do të kalojë në filtrin e KLP.

Në një mbledhje me drejtuesit e prokurorive të Kurbinit dhe Krujës, Gent Ibrahimi ka theksuar se kjo nuk është një tentativë nga KLP për të marrë kompetencat e KPK, KPA apo ONM.

Synimi sipas tij është që të mbushen vakancat urgjente teksa më pas do të respektohen edhe rezultatet e Vetting.

 

NJOFTIMI NGA KLP

Ditën e sotme, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e prokurorive të rretheve Kurbin dhe Krujë, z. Arben Nika dhe z. Petrit Çano.

Zoti Ibrahimi është njohur nga afër me problematikat e këtyre dy prokurorive. Hartimi dhe zbatimi i dy rregulloreve, ajo për Lëvizjet Paralele dhe Ngritjen në Detyrë, ishte një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit, ku u dakordësua për një gjithëpërfshirje më të madhe të prokurorëve dhe Këshillit në këtë proces.

Me interes të veçantë është trajtuar edhe një ndër problemet më të shpeshta sa i përket shtimit të numrit të oficerëve gjyqësorë pranë prokurorive. Rishikimi i hartës  gjyqësore është edhe një nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë dhe efektiv mes oficerëve gjyqësore dhe prokurorëve. Një nevojë kjo e cila lind nga ngarkesa e punës, sidomos në prokurorinë e rrethit Kurbit, e cila renditet e 5-ta në vend për nga volumi i cështjeve që trajton në vit.

Gjithashtu, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është ndalur edhe tek vendimi që ky Këshill mori në lidhje me vlerësimin e prokurorëve.

Z. Ibrahimi u shpreh se kjo nuk është një tentativë e Këshillit për të zëvendësuar kompetencat e KPK, KPA apo edhe OMN-së, por një hapësirë për të mbushur vakancat urgjente që ka sistemi aktualisht, duke respektuar të gjitha vendimet dhe rezultatet që do të sjellë procesi i Vetingut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: