DURRËS

 

Policia ka dhënë versionin zyrtar për drogën e sekuestruar në Hanin e Hotit.

Në njoftim thuhet se gjatë ditës së sotme, policia e Shkodrës kishte marrë informacion në rrugë operative se një kamion me targa shqiptare, që po drejtohej për në Mal të Zi, kishte brenda saj drogë.

Pas ndalimit nga policia, kamioni është drejtuar për në Portin e Durrësit, ku i është nënshtruar testit të skanerit.

Nga ky test, ka rezultuar se brenda kamionit, në pjesë të ndryshme të saj, ishin fshehur 17 kilogramë heroinë.

Policia ka bërë të mundur ndalimin e shoferit të kamionit, shtetasit S.P 55 vjeç, nga Vlora, ndërsa është duke punuar mbi identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit

Parandalohet dhe goditet një tjetër tentativë për trafikim të drogave të forta.

Parandalimi nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare Shkodër.

Sekuestrohen rreth 17 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë.

Më datë 26 qershor, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare të DVKM Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, një kamion me targa shqiptare që po qarkullonte për në drejtim të Malit të Zi.

Për një kontroll më të specializuar, kamioni është shoqëruar në Portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit Durrës dhe autoritetet doganore të Portit Durres, që veprojnë përherë në Port.

Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në kamion kishte të fshehur rreth 17 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë.

Nga veprimet e para hetimore është arrestuar në flagrancë dretuesi i kamionit ku u gjet lënda narkotike.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ketij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentative për trafikim të drogave të forta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb