Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Zbardhen disa nga bisedat telefonike të të dyshuarve si pjesë e organizatës kriminale që trafikonte drogë nga Vlora në drejtim të Italisë, me një avion ultra të lehtë. Në dosjen e prokurorisë, bie në sy fakti se pjesa më e madhe e të dyshuarve njihen mes tyre me nofka të ndryshme, si “Uill”, “Dobiçi” ose “Rosh”, “Poma” ose “Lushi”. Ndërsa identifikimi i të dyshuarve si pjesëtarë të organizatës, është bërë falë bisedave të përgjuara telefonike, që janë të shpeshta ndërmjet të dyshuarve. Ndonëse në biseda nuk përmenden fjalët “drogë”, “trafik” apo “transport”, për prokurorin e Krimeve të Rënda, Eneid Nakuci, është krejtësisht e qartë se flitet për aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës. Konkretisht, në një bisedë të datës 29 korrik 2015, ora 18:42:45, i dyshuari Fadil Shahaj, i cili dispononte numrin e telefonit 0696529xxx, flet me djalin e tij, Igli Shahaj, përdorues i nr. telefonik 06993xx xxx. Babë e bir dyshohen nga prokuroria se në organizatë kishin rolin e kultivuesve dhe ruajtjes së bimëve narkotike. Ndaj, sipas organit të akuzës, një ndër bisedat që lidhet me shërbimet dhe ujitjen e parcelave të kultivuara me bimë narkotike është dhe kjo e zhvilluar midis Iglit dhe babait të tij, Fadilit. “Ore në brinja duhet 5 a 6 metro dhjetë metro ku është ajo pjesa tjetër”, e pyet Fadil Shahaj të birin. Igli i përgjigjet: “Është brenda te të voglat”. “Ore unë them këtu në krahët ore këteja këteja nga lartë”, këmbëngul sërish Fadil Shahaj. “Ku nga lartë ore se spo të marrë vesh”, i përgjigjet i biri. “Tek baçe xhajit”, e pyet më tej i ati;
“Tek baçe xhajit. E ore është ajo bashkuesja tjetër andej tek te voglat atje lart”, i përgjigjet i biri. Biseda vijon më tej dhe, sipas prokurorisë, babë e bir nënkuptojnë faktin se parcelat ku ishin mbjellë bimët narkotike, duheshin ujitur e për këtë arsye, po flisnin për veglat e punës.
Tabela e telefonatave
Në dosjen e prokurorisë renditen dhjetëra telefonata të përgjuara mes pjesëtarëve të grupit kriminal. “Në datë 24.08.2015, Sokolin e kanë marrë në telefon xhaxhai dhe babai i tij që t’u tregonte ku ishte dhe të kthehej në shtëpi. Bisedat janë zhvilluar prej orës 07:09 e deri rreth orës 08:30, dhe gjatë bisedave të zhvilluara, antena e pajisjes së tij në përgjim ka rezultuar në vendin e quajtur Kocul, Vlorë”, thuhet në dosje. Në fakt, nga përgjimet telefonike, janë mundur të përcaktohen edhe rolet e të dyshuarve në organizatë. Nga hetimet në Itali rezultonte se shtetasi Sokol Lamaj dhe vëllezërit e tij kishin në pronësi parcela të mëdha me marijuanë në Shqipëri si dhe donin të transportonin sasi të mëdha lëndësh narkotike në Itali, duke përdorur pikërisht avionin e lehtë nën monitorim, i cili me shumë mundësi do të pilotohej nga Vilson Lamaj. Bima narkotike kultivohej në fshatrat Ramicë, Xhyherine, Risili dhe përgjatë lumit të Shushicës në Vlorë. Aktualisht, te një pjesë e parcelave, kanabisi ishte bërë gati për korrje, te parcelat e tjera, sipas bisedave të përgjuara, kanabisi bëhej gati për rreth 10 ditë. Ndërsa familja Lamaj planifikonte të kultivonte hashash edhe në Rumani e Rimini. Sipas hetuesve, të dyshuarit kishin trafikuar drogë në rrugë detare e tokësore edhe më herët, ndërsa në rrugë ajrore ishte tentativa e parë. Kështu, mëngjesin e 24 gushtit 2015, nga vëzhgimet rezultoi se një avion ultra i lehtë, prodhim ukrainas, model “Aeropakt A22S”, që pilotohej nga Vilson Lamaj, u ul në fshatin Xhelilaj në Vlorë, pranë Sevasterit, dhe në të u ngarkua një sasi prej 120 kg lëndë narkotike. Avioni u nis drejt Italisë dhe u bllokua në Brindizi, ku Lamaj u arrestua dhe droga u sekuestrua. Për të gjurmuar saktësisht lëvizjet e avionit u përdor Reparti Operativ, pasi kishte nën hetim të dyshuarit. Në Itali ranë në pranga tetë persona, ndërsa në Shqipëri, duke qenë se ekzistonte rreziku që personat bashkëpunëtorë me këta të fundit të merrnin dijeni për hetimet, u vendos ndalimi i të dyshuarve Neko Burhamaj, Fatos Burhamaj, Fadil Shahaj, Igli Fadil Shahaj, Sokol Lamaj (Burhamaj) dhe Vladimir Zanaj, me detyrë Shef Personeli në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë. Të gjithë tashmë ndodhen në qeli nën masën e “arrestit me burg”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: