E ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën në Neës24, nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku sqaroi qëndrimin e PD për të votuar në kuvend zgjatjen e afatit për organet e vettingut, propozim ky i PS e për të cilin duheshin 94 vota.

Ndërsa tha se është më mirë që ky proces të kryhet me monitorim ndërkombëtar, Tabaku theksoi se duhej bërë një debat publik lidhur me këtë cështje.

“Opozita ka pranuar të votojë reformën në drejtësi në korrik të vitit 2016, pas një debati shumë të gjerë. Diskutimi ishte t’i siguronim qytetarëve një sistem të pakapur. Vetingut u miratua atëherë në mënurë të njëanshme dhe sot vettingut ka problemet që ka dhe kushdo i njeh. Progres raporti e thotë që është i influencuar politikisht, që nuk patëm për 3 vite një gjykatë kushtetuese sepse po përpiqej të kapej politikisht nga e kryeministrit. Sot Gjykata e Lartë nuk ka kuorum dhe të dyja trupat janë të paplotësuara. Për mua procesi i vettingut ka patur vendime që kanë qenë me dy standarde.

Kolegji zgjedhor ka qenë në presion nga procesi i vettingut. PD gjykoi që procesi i vetingut të kryhej në trupën aktuale që po kryhet në KPK sesa të shkonte në KLP dhe KLGJ. ONM ndodhet vetëm në trupën e parë, megjithë vështirësitë që ka patur është më mirë një monitorim ndërkombëtar se sa pa monitorim ndërkombëtar në dy trupat e tjera. PD duhet të kishte vepruar ndryshe nga pikëpamja publike. Duhet ta kishim bërë këtë një debat publik dhe s’kishte pse të kishim frikë për ta bërë këtë . Unë nuk kam frikë nga reforma në drejtësi, askush në PD nuk ka frikë.

Unë kam shkuar vetë në SPAK për çështje të miat personale por edhe politike. Dëgjova z. Xhafaj që ndau të njëjtat shqetësime si unë, që reforma në drejtësi nisi ndryshe dhe përfundoi ndryshe. Nisi me qëllimet për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe sot nuk e ka realizuar atë”, theksoi Tabaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb