DURRES – Rinis operacioni i kërkim-shpëtimit për dy peshkatarët e zhdukur dy ditë më parë në Durrës. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se dy anije të Forcës Detare vijojnë kërkimet për peshkatarët e zhdukur që nga pasditja e së dielës.
“Sot, që në orët e para të mëngjesit dy anije të Forcës Detare vijojnë operacionin për kërkimin e peshkatarëve të zhdukur në hapësirën detare të Gjirit të Lalzit. Anija “Lisus” dhe “Iliria” ndodhen në ujërat detare të Gjirit të Durrësit dhe të Gjirit të Lalzit të angazhuara në operacionin për kërkimin e dy peshkatarëve të humbur. Ndërsa gjatë gjithë ditës së djeshme dy anije të Forcës Detare dhe një helikopter i Bazës Ajrore të Farkës janë angazhuar në operacionin për kërkim-shpëtimin e dy peshkatarëve nga fshati Rinia të komunës Katund i Ri, të cilët rezultojnë të humbur në hapësirën detare të Gjirit të Lalzit.”- informoi Ministria e Mbrojtjes.

Një ditë më parë, varka e peshkatarëve u gjet e braktisur në det, ndërsa përkeqësimi i motit (dallgëzimi ka arritur në 7 ballë), ka humbur shpresat për gjetjen e tyre.

Kanë qenë familjarët e peshkatarëve ata që kanë sinjalizuar policinë një ditë më parë për humbjen e kontakteve me 42-vjeçarin Avni Shahini dhe 30-vjeçarin Betim Maqinaj, me origjinë nga Kukësi, por të vendosur që prej 20 vitesh me banim në Sektorin Rinia në Durrës. Të alarmuar, të gjithë të afërmit dhe bashkëfshatarët, mbi 300 burra, kanë qëndruar dje për orë të tëra në breg të detit Adriatik, duke ndjekur nga afër operacionin e kërkim-shpëtimit.
Një ditë më parë në operacion janë përfshirë katër mjete: dy të Ushtrisë, një skaf i policisë Kufitare dhe 1 skaf i palombarëve të RENEA-s. Gjithashtu, në operacion u përfshi edhe helikopteri SAR i Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo pas kërkesave të vazhdueshme të familjarëve dhe të të afërmve të dy peshkatarëve, por me gjithë kërkimet e bëra, deri në orët e vona të së hënës nuk është bërë e mundur gjetja e peshkatarëve Shahini dhe Maqinaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: