Nga: AURORA GOLEMI

TIRANE- Deti për plazhistët në këtë sezon turistik është më i pastër se vjet. 20% e vijës bregdetare në vend është përmirësuar dukshëm sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila ka kryer monitorimin për të parë cilësinë e 12 plazheve kryesore në vendin tonë. Këtu përfshihen plazhi i Durrësit, Gjiri i Lalëzit, plazhi i Velipojës, Shëngjinit, Kavajës, Vlorës, Sarandës, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit dhe Borshit.

Duket se surprizë ka qenë plazhi i Durrësit dhe Kavajës, ku ndryshe nga vjet, këtë vit nuk u konstatuan shkarkime urbane në det nga subjektet e ndryshme.

“Durrësi është përmirësimi më i madh, kemi përmirësim nga 52% në 76%, por në Gjirin e Lalëzit kemi përkeqësim të detit”, thotë Julian Beqiri, drejtor i AKM-së.

Në Vlorë situata mbetet problematike vetëm tek plazhi ne zonën e Shkollës se Marinës ku vijon shkarkimi i ujërave urbane.

“Në Vlorë problematike vetëm plazhi tek shkolla e marinës, por pjesa tjetër e Vlorës është e një cilësie shumë të mirë”, thotë Beqiri.

Plazhet e jugut vijojnë të mbeten me cilësi të shkëlqyer.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se gjendja e lumenjve, edhe ato të monitoruara nga ky studim, mbetet e rëndë. Për këtë, Ministria do të nisë nga sot pezullimin e subjekteve ndotëse të tyre.

“Lumenjtë janë në një situatë të rënduar, dhe që sot Ministria e Mjedisit do të marrë masa për të pezulluar aktivitetin në ato subjekte që janë ndotësit e këtyre lumenjve”, u shpreh ministri Koka.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb