NGA RUDINA HOXHA*
Këtë të premte, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Muzeu Ludwig–Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest, kanë kënaqësinë të prezantojnë për publikun ekspozitën “IDEALE DHE VEPRA ARTI/ Një përzgjedhje veprash nga koleksioni i Muzeut Ludwig, Budapest”. Ekspozita vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm prej mëse 2 vitesh mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Muzeut Ludwig–Muzeu i Artit Bashkëkohor, Hungari.

Me këtë rast, drejtoresha e këtij muzeu, Júlia Fabényi jep një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, duke hedhur dritë mbi disa fakte tepër interesante lidhur me të.

Duket sikur Shqipëria dhe Hungaria ndajnë ndjenja të përbashkëta ndaj artit. Ju lutem, si do ta karakterizonit shkëmbimin e parë midis Muzeut Ludwig të Hungarisë dhe Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë? Dhe përse skena e artit shqiptar nuk ka nxitur interes në vendin tuaj deri më tani?
Pas ndryshimit të regjimit në vitin 1989, marrëdhënia kulturore e Hungarisë me vendet e Europës Lindore dhe Qendrore ishte më e afërta, arti në Shqipëri konsiderohej si një pjesë e kontekstit ballkanik.

Vendet postsocialiste ishin para së gjithash të përqendruara në stimulimin e vëmendjes së Perëndimit dhe në përpjekjet për t’u bërë pjesë e skenës ndërkombëtare të artit; kontaktet direkte zyrtare midis këtyre vendeve ishin të rralla. Dy ekspozitat mbështeten në interesin dhe lidhjet reciproke profesionale pa sforcim të jashtëm apo pritshmëri zyrtare. Ato plotësojnë një boshllëk, duke paraqitur artin hungarez dhe atë shqiptar dhe në këtë mënyrë vetë këto dy vende, përfshirë Kosovën, dikur të panjohura për audiencën.

Ku mund të na çojë një bashkëpunim i tillë sipas mendimit tuaj?
Të dyja ekspozitat dhe katalogët që i bashkojnë ato ofrojnë një mundësi për artistët, dikur të panjohur, dhe për arritjet e tyre — të paraqitura nga kuratorët për të qenë në qendër të vëmendjes. Ne shpresojmë se të dyja ekspozitat do të jenë një pikë reference për secilin që do të jetë i interesuar në artin bashkëkohor.

Do të ishte me interes të dinim disa fakte interesante rreth këtij koleksioni dhe rreth procesit të sjelljes së tij këtu. Si ishte ky proces? Besoj një sfidë më vete ta sjellësh atë në Tiranë…
Përzgjedhja kuratorike për ekspozitën në Tiranë u hoq nga ekspozimi permanent i Muzeut Ludwig. Ekspozita, e titulluar ‘Ludwig 25’ paraqet artin pas ndryshimit të regjimit në vitin 1989, të ashtuquajturën periudhë postsocialiste. I ngritur me ndihmën e një donacioni të Ludwig-ëve, koleksioni i muzeut përfshin një gamë akoma më të gjerë si në aspektin e interesave dhe fushave të përcaktuara. Megjithatë, për të paraqitur artistët hungarezë në një ekspozitë sot në Tiranë, ne vendosëm se më e mira do të ishte të zgjidhnim punime që i drejtohen të shkuarës së afërme. Kjo pjesërisht lidhet me ekspozitën e realizmit socialist të shfaqur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri.

Si mund t’i frymëzojë shqiptarët ky koleksion arti lidhur me momentet më kryesore të Hungarisë si një komb?
Këto vepra janë artikulacione të lirisë dhe pavarësisë në art, një mënyrë autonome dhe kritike e të menduarit, e cila e gjen mënyrën e të shprehurit në kohërat më të vështira. Të gjithë artistët e përzgjedhur studiojnë dhe kritikojnë teoritë, dëshirat dhe ideologjitë që i japin formë shoqërisë, përfshirë idenë e ‘kombit’, i cili nuk ekziston më në kuptimin e shekullit të 19-të, megjithatë qëndron për të qenë i dukshëm në lidhjen tonë me gjuhën, traditat dhe historinë.

Sa të rëndësishme janë kërkimet në artin vizual kontemporan për një shoqëri dhe për rajonin tonë?
Lidhja e tij direkte me kohët tona është ajo që e bën artin kontemporan të përshtatshëm, pikërisht konteksti ku ai prodhohet. Si një muze i artit kontemporan, misioni ynë është të mbledhim dhe të paraqesim vepra arti, që adresojnë pyetje që kanë lidhje me njerëzit dhe shoqërinë e sotme, duke dhënë kështu një kontribut sipas mënyrës së tyre – në kuptimin e fenomeneve të ndryshme dhe zgjidhjen e problemeve të caktuara.

Çfarë do të donit që vizitorët shqiptarë të marrin me vete nga ky koleksion elitar? Çfarë prisni që ata të mësojnë prej saj?
Ne mendojmë se teoritë, ideologjitë dhe konceptimet e shekullit të 20-të, të paraqitura në ekspozitë, janë familjare për publikun shqiptar, ashtu si edhe ndryshimet social-politike të viteve 1989 së bashku me pasojat e përjetuara edhe sot e kësaj dite. Kjo ekspozitë nuk ka një moral, sepse arti nuk ofron përgjigje direkte. Qëllimi ynë me këtë përzgjedhje ishte të zbulonim forcat e jashtme dhe të brendshme, që u japin formë jetëve tona dhe të demonstrojmë pozicionet artistike kritike, që janë të lira nga këto kufizime.

Cilin nga punimet e këtij koleksioni do të konsideronit si më të veçantin?
Padyshim, punimet më me vlerë në koleksionin e Muzeut Ludwig janë ato që kanë lidhje me artin pop dhe pikturat e Pikasos, të cilat ishin pjesë e donacioni të Ludwig-ëve në vitin 1989. Rëndësia e këtij seksioni, të përbërë nga veprat e Hungarisë dhe Europës Lindore qëndron në faktin se ai hedh dritë mbi karakteristika të veçanta të praktikave të artit rajonal, diçka që historia e artit rrëfimtar perëndimor filloi ta zbulonte vetëm së fundmi. Është e vështirë t’i vësh gishtin vetëm një punimi në përzgjedhjen që kemi bërë në Tiranë. “Cotton-pickers in Kazakhstan” (Mbledhësit e pambukut në Kazakistan), një pikturë e realizuar nga László Lakner, është një nga ilustrimet më të mira të strategjive artistike unikale, të përdorura nga artistët hungarezë në vitet 1970, që jetonin në Lindje, por që u drejtuan drejt Perëndimit. Piktura ka disa kuptime, megjithëse formalisht ajo ndjek tendencat perëndimore. Ajo kritikon fuqinë e propagandës socialiste.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: