Dëmtimi i meniskut do ta detyrojë Paul Pogba të anashkalojë të gjithë përgatitjen amerikane, një problem serioz në një sezon tashmë të komplikuar dhe me një fillim me intensitet shumë të lartë për shkak të Botërorit në vjeshtën e ardhshme.

Edhe sikur të mos ishte një ndalesë dy mujore (skenari më i keq), është pothuajse e pamundur të imagjinohet një rikuperim në më pak se 40 ditë. Prandaj, Allegri do të duhet të bëjë pa francezin jo vetëm në fillim të kampionatit, por edhe në duelet e para të Champions-it.

Një ndalesë që, duke parë statistikat e tri viteve të fundit me Manchester United, ngre njëfarë alarmi. Të dhënat në lidhje me Pogba nuk janë ngushëlluese nga ky këndvështrim. Në sezonin 2021-2022, francezi luajti 27 ndeshje për gjithsej 1782 minuta.

Ai humbi për shkak të dëmtimit (probleme muskulore në kofshë dhe komplikime në kyçin e këmbës) 18 ndeshje të Premier League, 2 të Champions League dhe 2 midis “FA Cup” dhe Kupës së Ligës.

Në sezonin 2020-2021, shifrat janë pak më të mira: 2861 minuta të luajtura në 42 ndeshje, një mungesë në Champions League, 3 mungesa në “Europa League”, 9 mungesa në Premier League, 2 mungesa në “FA Cup” dhe 1 mungesë në Kupën e Ligës.

Më i keqi i tre sezoneve të fundit ishte 2019-2020. Vetëm 1608 minuta në fushë u shpërndanë në 22 ndeshje. Nga ana tjetër ka munguar në 9 ndeshje të “Europa League”, 22 ndeshje të Premier League, 4 ndeshje të “FA Cup” dhe po aq në Kupën e Ligës.

Në bazë të të gjitha këtyre mungesave, vërtet të shumta, Pogba ka vuajtur lëndimet muskulore në kofshë dhe pulpë, si dhe një problem të vazhdueshëm të kyçit të këmbës. Sot, pra, kjo ndalesë e re. Një shqetësim që Pogba e kishte ndjerë prej disa kohësh dhe që e detyroi të ndalonte tri ditë më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb