Një protestë u mbajt para ambasadës Ruse në Shkup, ku qytetarët u shprehën kundër agresionit rus ndaj Ukrainës.

Protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Rusia është vend terrorist”dhe “Putini vrasës”.

Raportohet se protestuesit kanë djegur edhe një portret të presidentit rus, Vladimir Putin.

Protesta u organizua nga shoqata e ukrainasve në Maqedoninë e Veriut “Lesya Ukrainka”, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Larisa Dir.

Marshi u zhvillua nga rruga e “Ukraina” deri te Ambasada Ruse në Shkup, ndërkohë që u drejtua nga Oleksandr Urbanoviç, i cili është kryetar i Shoqatës së Ukrainasve “Lesya Ukrainka”.

Ai tha se mbështetja ushtarake për Ukrainën është më se e nevojshme për të parandaluar një luftë më të madhe në Evropë dhe një reaksion zinxhir të luftërave ndërshtetërore në mbarë botën.

“Regjimi i Kremlinit po përpiqet të ndryshojë hartën e botës, të rishkruajë historinë dhe të shkatërrojë komunitetin ndërkombëtar bazuar në ligje dhe rregulla. Skllavërimi i Ukrainës supozohej të ishte vetëm një hap drejt një plani më të madh: rindarja e botës. Falë guximit të popullit ukrainas, Rusia është ende e mbërthyer në hapin e parë pas dy vitesh luftë të gjithanshme”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: