Me mungesat e Ardit Krymit, Bernard Berishës dhe me Redon Xhixhën që është në dyshim, trajneri Dean Klafuriç duhet të mendojë me kujdes për formacionin e Tiranës për ndeshjen e radhës.
Tekniku bardheblu ka disa alternativa në dispozicion, por mungesat dhe pasiguria për gjendjen e disa futbollistëve e detyrojnë të shqyrtojë disa variante për të ndërtuar një formacion sa më konkurrues.
DILEMAT – Një nga dilemat kryesore lidhet me repartin ofensiv dhe gjendjen e Redon Xhixhës. Sulmuesi ka vijuar me programin e tij të rikuperimit dhe dje ka zhvilluar vrapime në stërvitje. Ky është një sinjal pozitiv për stafi n teknik, por ende nuk ka siguri nëse ai do të jetë në gjendjen e duhur fi zike për të luajtur.
Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Xhixha do të mund të jetë pjesë e formacionit apo nëse do të duhet të qëndrojë jashtë kësaj sfi de. Në rast se sulmuesi nuk ia del të jetë gati, alternativa për ta zëvendësuar është Alvarez, i cili mund të marrë një vend në formacionin titullar.
Ndërkohë, në mesfushë pritet të ketë hapësirë për Maçi. Ky i fundit është një nga alternativat që Klafuriç po shqyrton për të plotësuar repartin, në kushtet kur Ardit Krymi dhe Bernard Berisha nuk do të jenë në dispozicion. Mungesa e dy futbollistëve i ngushton disi zgjedhjet e trajnerit, sidomos në një zonë të rëndësishme të fushës, ku kërkohet ekuilibër mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese. Për këtë arsye, Maçi mund të marrë më shumë përgjegjësi, ndërsa në krah të tij pritet të jenë Meta dhe Mysloviç.

Për Klafuriçin, sfida nuk lidhet vetëm me zëvendësimin e futbollistëve që mungojnë, por edhe me ruajtjen e harmonisë mes reparteve. Tirana ka nevojë për një skuadër të organizuar, që të jetë në gjendje të kontrollojë lojën dhe të shfrytëzojë mundësitë në fazën sulmuese. Në këtë drejtim, roli i mesfushorëve do të jetë i rëndësishëm, ndërsa lojtarët e avancuar do të duhet të japin kontributin e tyre për të krijuar rrezik për kundërshtarin.
Në prapavijë, Bekaj pritet të jetë në portë, ndërsa para tij parashikohet një repart i përbërë nga Vera, Kollej, Staniç dhe Ndong. Kjo është linja mbrojtëse që po projektohet për momentin, ndërsa në mesfushë pritet të aktivizohen Maçi, Meta dhe Mysloviç. Në fazën sulmuese, Hazrollaj dhe Kiş janë dy nga emrat që pritet të marrin përgjegjësi, ndërsa dilema e vetme mbetet ajo mes Xhixhës dhe Alvarezit.
Pavarësisht mungesave, Tirana ka alternativa për të përballuar situatën dhe Klafuriç do të kërkojë të shfrytëzojë sa më mirë mundësitë që ka në dispozicion. Stafi teknik do të ndjekë nga afër gjendjen e Xhixhës deri në momentin e fundit, përpara se të marrë vendimin përfundimtar. Rikthimi i tij do të ishte një mundësi më shumë për repartin ofensiv, por në rast të kundërt, Alvarez është alternativa e parashikuar për të plotësuar treshen e sulmit.
