Krahasimi statistikor mes Egnatias dhe Universitatea Craiovas në “Sofascore” nxjerr në pah dy skuadra me karakteristika të ndryshme. Rrogozhinasit kanë një vlerësim mesatar më të lartë, 7.80, kundrejt 7.64 të rumunëve.
Egnatia ka epërsi të dukshme në zotërimin e topit, me 59% kundrejt 39% të kundërshtarëve. Gjithashtu, skuadra shqiptare regjistron 411 pasime të sakta për ndeshje, me saktësi 85.4%, ndërsa Craiova ka 284.5 pasime dhe 79.6% saktësi.
Megjithatë, rumunët janë më efikasë para portës, me katër gola të shënuar në dy ndeshje, dyfishin e Egnatias. Ata kanë krijuar edhe më shumë raste të mëdha, mesatarisht katër për ndeshje, kundrejt dy të ekipit shqiptar.
Egnatia më agresive në mbrojtje
Statistikat e mbrojtjes tregojnë një tjetër kontrast mes Egnatias dhe Universitatea Craiovas. Skuadra shqiptare regjistron 22 ndërhyrje për ndeshje, kundrejt 14.5 të rumunëve. Edhe në largimet e topit Egnatia ka epërsi të ndjeshme, me 34.5 për ndeshje, ndërsa Craiova regjistron 23.5. Nga ana tjetër, rumunët janë më të suksesshëm në interceptime, me 16.5 për ndeshje, pothuajse trefishi i shifrës së Egnatias.
Të dyja skuadrat kanë pësuar nga dy gola në dy ndeshje dhe asnjëra nuk ka arritur të mbajë portën të paprekur. Egnatia ka treguar më shumë aktivitet në ndërhyrjet direkte dhe largimin e rrezikut nga zona, ndërsa Craiova është më e fortë në leximin e pasimeve kundërshtare.
Kraiova golat, Egnatia duelet dhe pasimet
Dy skuadrat kanë paraqitur statistika interesante edhe në aspektin e dueleve dhe lojës fizike. Egnatia fiton mesatarisht 57 duele për ndeshje, ndërsa Universitatea Craiova regjistron 50. Megjithatë, përqindja e suksesit është pak më e lartë te rumunët, me 56.8%, kundrejt 54% të rrogozhinasve. Egnatia kryeson gjithashtu në pasimet e gjata të sakta, me 32 për ndeshje dhe 65.3% saktësi, ndërsa Craiova ka 18 dhe 46.8%. Nga ana tjetër, rumunët kanë shënuar katër gola dhe kanë dhënë katër asiste, duke treguar më shumë produktivitet ofensiv. Egnatia ka dy gola dhe dy asiste, por paraqitet më mirë në disa tregues të organizimit dhe qarkullimit të topit.
