Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, mbi ligjin për të drejtat e autorit, për të cilin tha se “Dëgjesat i bëmë me tre seanca dhe vendosëm të kishim të gjithë autorët.

Ka një afat 30 ditor nga momenti që ne iu kemi çuar shkresën agjencive, ku autorët dhe agjencitë kanë mundësi të sjellin informacion për të argumentuar pikat, ku auditi konsideron shkelje. Agjencitë janë një filtër, mekanizëm mes nesh dhe autorëve”.

Ministrja Margariti u ndal dhe te sporteli ‘SUADA’, duke theksuar se ky do të jetë një sporteli Unik i Administrimit të të Drejtave të Autorit. Margariti theksoi se po bëhen përpjekje që monitorimi të kthehet totalisht në platformë digjitale.

“Është një sportel unik për të drejtën e autorit. Mbledh të gjitha të ardhurat nga përdoruesit e të drejtës së autorit në territorin kombëtar, që hidhen në llogarinë e ‘SUADËS’, që më pas këto para i shpërndan nëpër agjenci. Ky mekanizëm duket shtrëngues, por nga ana e transparencën është i nevojshëm, për sa kohë te përdoruesi shkon i gjithë entiteti i vetëm. Ne iu kërkojmë agjencive që monitorimi të kthehet totalisht në platformë digjitale. Në parim agjencitë e kanë pranuar këtë, por në praktikë jo. Një platformë digjitale do të ishte zgjidhja e duhur dhe ne po kërkojmë të ngremë një sistem totalisht transparent. Ky nuk është një model shqiptar, por evropian, që e përdorin dhe vendet e tjera, dhe është i nevojshëm. Do të ishte një sistem transparent, ku secili do të kishte një user personal dhe të shihte llogarinë e vet.

Ne do mundohemi të rregullojmë përplasjet me agjencitë, për të zgjidhur edhe të gjitha problemet. Në këtë moment kemi problem zgjedhjet e drejtorit në krye të sportelit Suada. Ne kemi propozuar që suada të ketë një bord dhe në krye një drejtor, që të zgjidhet nga të gjitha agjencisë bashkë. Kjo ka hasur problematika, ata nuk bien dakord për përzgjedhjen e një drejtori që të ketë pëlqimin e të gjitha palëve”, u shpreh Margariti.

Sa i përket debatit për kontratat, ministrja e Kulturës sqaroi se; “Sa i përket kontratave ne kemi kërkuar që çdo agjenci të ketë kontrata të qarta me autorët. Agjencia që përfaqëson muzikën shqiptare nuk mund të përfaqësojë të gjithë muzikantët, sepse jo të gjithë kanë zgjedhur të përfaqësohen në të njëjtën agjenci. Kemi kërkuar të ketë kontrata të rregullta, ku të shprehet qartazi vlera monetare që autori i jep agjencisë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb