Lindi më një sëmundje të rrallë, shpresëpak për të jetuar, por falë ndihmës së njerëzve, Reanta jetoi dhe sot feston ditëlindjen e saj të dytë.

2 vjet më parë News24 dhe “BalkanWeb” ndërmorën një fushatë humane për të mbledhur para, me qëllim që të shpëtonin foshnjën 2-muajshe Reanta Balliu. Ajo kishte nevojë për një transplant, i cili nuk mund të bëhej në Shqipëri.

Pak orë pasi lindi, Reanta iu nënshtrua një operacioni tepër të vështirë e të komplikuar në kirurgjinë e spitalit pediatrik në QSUT. Mjekët shqiptarë thanë asokohe se asnjë fëmijë në spitalin “Mbretëresha Geraldinë” nuk kishte lindur më parë me këtë anomali në aparatin tretës dhe se rasti i Reantës ishte tepër i rrallë. Fatkeqësisht në vend nuk ka asnjë spital të specializuar që mund të kryente transplantin.

Falë shpirtmadhësisë së shqiptarëve, biznesmenëve dhe artistëve të njohur, mes të cilëve edhe Noizyt, u arrit të mblidhej shuma prej 26 mijë eurosh e mjaftueshme për transplantin dhe transportin e Reantës me avion për në Itali.

Vogëlushja u nis në janar të vitit 2017 drejt Romës, edhe me mbështetjen e Drejtoreshës Ekzekutive të “Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijës”, Gerta Hagen, e cila gjeti spitalin e specializuar për të operuar Reantën në Romë, ndërsa ndërhyrja u krye nga profesori italian Pietro Bagolan.

Gjithçka shkoi mirë dhe Reanta filloi të rritej si një fëmijë i shëndetshëm. Kjo vogëlushe i habiti edhe bluzat e bardha se si arriti te mbijetonte, në një kohë kur shpresat për të ishin pothuajse të shuara, ndërsa prindërit e saj falënderojnë Zotin që vajza e tyre sot po feston ditëlindjen e gëzuar mes njerëzve që e duan dhe e ndihmuan.

Nena e Reantes, shpreh mirënjohje për çdo shqiptar, që nëpërmjet televizionit News24 arritën të kontribuonin për trajtimin e saj në Itali.

News 24 ka ndjekur nga afër çdo moment të jetës së vogëlushes që sot mbushi 2 vjeçe, duke u bërë një urë lidhëse për zemërgjerësinë e gjithë shqiptarëve që kontribuuan në shpëtimin e jetës dhe kurimin e Reantës

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb