TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka shprehur fjalë të ndjera në mesazhin e tij gjatë homazheve për ushtaraken e ndjerë Zarife Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës gjatë misionit të saj në Letoni.
Rama tha se e ka të vështirë të gjejë fjalët duke i shprehur përulësisht ngushëllimet familjes e të afërmve për ‘vajzën e mbështjellë me flamurin e atdheut’.

“Është e vështirë të gjej fjalët për ushtaraken, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu në sytë e prindërve të saj që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krahë të dhëndrit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krah të shokëve të saj të FARSH; në praninë e 2 motrave, vëllait të saj, pranë prindërve e rrethit familjar ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm; në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar për të cilin FARSH është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut dhe amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuq e zi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re të Republikës.
Detyra e kërkon që sidoqoftë fjalët të gjenden dhe të thuhen dhe përulësisht i shpreh ngushëllimet më të ndjera si kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj republike dhe si prind e vëlla i prindërve, motrave, vëllait dhe gjithë të afërmve të vajzës e cila tanimë i përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe emrin shqiptar. Vajza e mbështjellë me flamurin e atdheut është sot mishërimi tronditës i të vërtetës të besnikërisë ndaj atdheut që e kanë krijuar dhe e krijojnë përditë ne kryerjen e misionit të saj qenien e patjetërsueshme e pazëvendësueshme të Forcave të Armatosur të Republikës”, u shpreh kryeministri.

Ramaaa
Ramaaa

Ai tha se ushtarakët i shohim pak mes nesh, edhe familjet e tyre pak i shohin, dëgjojmë për ta shumë pak në të përditshmen tonë.
“I admirojmë kur në ditët e vështira shfaqen pranë njerëzve në nevojë dhe luftojnë me tërbimin e motit për të shpëtuar jetë njerëzisht në operacione heroike. Jo gjithmonë e mendojmë se teksa e përditshmja jonë vazhdon me punët, hallet, mërzitë dhe gëzimet e veta at vazhdojnë larg syve tanë të bëjnë çdo sekondë të njëjtën sakrificë, të njëjtën përpjekje të mundimshme, të përditshme për të na mbrojtur dhe për të siguruar vendin e dinjitetshëm të Shqipërisë në rreshtat e NATO-s. Janë vajza dhe djem burra dhe gra sot në këtë moment të dhimbshëm ta kujtojnë se heroi është një njeri i zakonshëm që ka fuqinë të durojë dhe të këmbëngulë përballë pengesave që të marrin frymën”, tha kryeministri.

Ai kujtoi fjalët e atyre që e njihnin për nëntetaren.
“Zarife Hasanaj u bë pjesë e FA-ve 11 vjet më parë. Në 2013 ka marrë gradën nën tetare. Gjithçka që dëgjova ishte përpikmëri, ishte e përpiktë në detyrë, kërkonte përpikmëri.
Sot flamuri është në gjysmë shtizë për të nderuar të parën vajzë në historinë e FA-ve që ndahet nga jeta për shkak të detyrës. Dhe nën flamurin kuqezi do të bëjë rrugëtimin e fundit për t’u ndalur përjetë në varrezat e dëshmorëve të kombit.
Mbi kryet e saj do të jetë nëna Shqipëri, ndërsa ne të tjerëve nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm ta kujtojmë sa të rrojmë me të gjitha ata që u ndanë nga kjo jetë për t’u kthyer në pjesë të altarit të atdheut. Ta kujtojmë jo vetëm në datat e caktuara kushtuar dëshmorëve por duke u përpjekur të mos e harrojmë në të përditshmen tonë, amanetin e tyre për Shqipërinë. U prehtë në paqe mes më të mirëve të këtij dheu dhe na ndriçoftë bashkë me ta në çdo hap të rrugës sonë drejt së nesërmes”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb