Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” për dy emisione me radhë u trajtua historia e 22-vjeçares, nënës së tre fëmijëve, e cila denonconte live bashkëshortin e saj. Pas puntatës së parë, Sibora rrëfeu dhe denoncoi dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, si dhe pohoi në studio se martesa e saj ishte bërë vetëm kur ajo ishte 12 vjeçe.

Pas këtij denoncimi live, reagoi në mënyrë të menjëhershme Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili bëri thirrje organeve ligjor për marrje të menjëhershme të masës për mbrojtje të 22-vjeçares. Gjatë dy puntatave pati reagim nëpërmjet telefonit edhe nga vjehrra edhe nga bashkëshorti i 22-vjeçares, të cilët mohuan në mënyrë kategorike dhunën dhe gjithçka tjetër të thënë nga Sibora. Sot në studion e emisionit ka qenë i pranishëm bashkëshorti, i cili mohoi kategorikisht faktin se e kishte dhunuar gruan. Ai tha se ishte i gatshëm që të bënte gjithçka për fëmijët e tij. Mes të tjerash burri i 22-vjeçares tha se e kishte marrë gruan në moshë të vogël, pasi donte që ta rriste me huqet e veta.

“Unë e kam mbajtur me gjithë të mirat, unë vjehrrën e kam respektuar edhe vazhdoj ta respektoj. Asaj nuk i ka munguar asgjë, unë nuk dua të përfundojnë fëmijët e mi nëpër institucione. Unë jam gjallë edhe do kujdesem për fëmijët e mi. Nuk jam i sëmur mendor unë nuk kam ushtruar kurrë dhunë ndaj saj. E çoni ku të doni dhe le ta verifikojnë nëse unë i kam ushtruar dhunë asaj. Por unë kam marr edhe kredi për të rritur ata fëmijë. Konflikti jonë ka nisur për shkak të një zënke midis nesh pasi djali im i madh 6-vjeç më tha që një ditë më parë atë e kishin ngacmuar disa çuna, edhe veshja e saj mu duk shumë ekstravagante edhe i kërkova që mos ta vishte. Unë e kam krijuar jetën me S…..kur ajo ishte 14 vjeç. Unë e kam kërkuar në shtëpi te nëna e saj, duke ua ditur hallet që i kishin të shumta. Pas disa ditësh ne shkuam me dajën edhe mamin për t’i kërkuar dorën. Aty na pritën në familje ne atë ditë ne i çuam unazën në gisht. Unë doja ta merrja të vogël për ta rritur vet sipas huqeve të mia. Ajo ndoshta është mërzitur me mua por unë dhunë nuk kam ushtruar kurrë. Nuk e di pse ka ikur. Unë nuk kam ngritur kurrë dorën, unë kam ardhur nga Gjermania edhe të gjitha të ardhurat e mia ja kam vënë dispozicion bashkëshortes. Unë e kam ruajtur atë për shumë gjera.”, tha ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb