Një konflikt i pazakontë për kufirin e pronës mes një prifti ortodoks dhe fqinjës së tij në Britani ka përfunduar me ndërhyrjen e policisë dhe përballje në gjykatë. Shkak është bërë një rrip toke rreth një metër i gjerë, për të cilin të dyja palët pretendojnë se u përket ligjërisht. Përplasja është shoqëruar me akuza për ngacmim, kamera sigurie të vendosura në të dyja pronat dhe madje edhe me pamje të priftit duke spërkatur me ujë të bekuar zonën e diskutueshme.

Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, Ati Anatoly Vikhrov, me origjinë nga Estonia, i cili shërben në komunitetet ortodokse ruse në Britani, është përfshirë prej vitesh në një mosmarrëveshje me fqinjen e tij, konsulenten tatimore Shameem Burrows, në Guisley, West Yorkshire. Në qendër të përplasjes është një pjesë e ngushtë toke mes dy banesave. Burrows pretendon se prifti dhe bashkëshortja e tij e kanë zënë atë gjatë punimeve për rinovimin e kopshtit, duke kryer ndërhyrje në pronën e saj. Për të shënuar kufirin që pretendon se ndan dy pronat, ajo ka vendosur një litar të verdhë. Nga ana tjetër, çifti Vikhrov kundërshton pretendimet e saj, duke iu referuar një studimi topografik që, sipas tyre, dëshmon se pjesa më e madhe e sipërfaqes së diskutueshme u përket ligjërisht atyre. Përplasja është përshkallëzuar deri në vendosjen e kamerave të sigurisë nga të dyja palët, ndërsa secila ka bërë denoncime në polici dhe ka angazhuar avokatë për të mbrojtur pretendimet e saj.

Pamjet e kamerave tregojnë priftin duke tundur gardhin prej druri që ndan dy pronat dhe duke mbajtur një sharrë përpara kamerës. Në një tjetër video, ai shfaqet duke spërkatur me ujë të bekuar zonën e debatueshme, veprim që ka shkaktuar reagimin e fqinjës. “Ai mendon se ka të drejtë të vijë në kopshtin tim dhe të bëjë çfarë të dojë. Ai tund gardhin, vjen këtu i veshur me rrobat e tij dhe derdh ujë të bekuar në hyrje të shtëpisë sime”, deklaroi Burrows për “Daily Mail”. Ajo pretendon gjithashtu se prifti sillet sikur ka një status më të lartë për shkak të pozicionit të tij fetar. Sipas saj, sa herë që policia shkon në banesën e tij për të biseduar, ai vesh rrobat e priftit.

“Unë jetoj vetëm me një fëmijë të vogël dhe ndihem sikur po ngacmohem në shtëpinë time”, u shpreh ajo. Nga ana tjetër, Elena Vikhrov, bashkëshortja e priftit dhe dentiste në Sistemin Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS), mohon që veprimi i të shoqit të ketë pasur për qëllim frikësimin e fqinjës. “Ne jemi të krishterë ortodoksë dhe jemi krenarë për besimin tonë. Po, ishte një bekim. Çfarë ka të keqe me një bekim? Burri im e bekoi atë vend për të sjellë paqe dhe për të qetësuar gjërat”, deklaroi ajo.

Konflikti nisi në vitin 2022, kur çifti bleu një shtëpi të shkëputur, të ndërtuar në vitet 1960, për 470 mijë paund. Burrows kishte blerë banesën fqinje, me tre dhoma gjumi, në mars të vitit 2020, për 260 mijë paund. Sipas ankesës së saj, gjatë punimeve të peizazhit në kopsht, punëtorët ndërhynë pranë hyrjes dhe garazhit të saj, duke e lënë strukturën pa mbështetjen e nevojshme. Ajo pretendon gjithashtu se çifti krijoi një oborr të shtruar mbi tokën që i përket asaj.

Burrows thotë se disponon dokumente pronësie që datojnë që nga viti 1974. Ndërkohë, çifti Vikhrov mbështetet në studime topografike profesionale dhe pretendon se dokumentacioni i tyre vërteton të drejtën e pronësisë mbi pjesën më të madhe të tokës së kontestuar. Përplasja mori një tjetër kthesë në mars, kur Burrows u arrestua me dyshimet për sulm dhe ngacmim, ndërsa më pas u akuzua për dëmtim të pronës së një personi tjetër. Sipas pretendimeve, ajo kishte shkatërruar një shkurre që u përkiste fqinjëve.

Kur iu komunikua akuza në komisariat, ajo reagoi duke thënë: “A shkatërrova një shkurre? Është në pronën time”. Çështja u paraqit në gjykatë në Leeds javën e kaluar, por ndjekja penale u pushua në momentin e fundit për shkak të provave të pamjaftueshme. Burrows, e cila kishte qëndruar për shtatë muaj e lirë me kusht, kritikoi policinë dhe Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës, duke pretenduar se kishin shpenzuar para publike për një çështje që nuk duhej të përfundonte në gjykatë.

Megjithatë, mbyllja e çështjes penale nuk i ka dhënë fund konfliktit mes fqinjëve. Burrows pretendon se jeton nën mbikëqyrje të vazhdueshme, pasi kamerat e vendosura nga çifti Vikhrov, sipas saj, regjistrojnë kopshtin, kuzhinën dhe dhomën e ngrënies së saj. “Kam më shumë se një vit që jetoj me perde të mbyllura. Ka një kamerë që shikon në kopshtin ku luan djali im dhe një tjetër që mund të shohë brenda shtëpisë kur dera e kuzhinës është e hapur. Ne as nuk ulemi në tavolinë për të ngrënë më nëse nuk i kemi perdet e mbyllura”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, Elena Vikhrov pretendon se edhe fqinja ka instaluar kamera 360-gradëshe që regjistrojnë pronën e tyre, përfshirë kopshtin e pasmë, duke cenuar privatësinë e familjes dhe të fëmijëve. “Fakti që jemi të huaj nuk do të thotë se kemi bërë ndonjë gjë të gabuar. Që nga fillimi jemi përpjekur të ndjekim rregullat dhe ligjin. Nuk kemi bërë asgjë të gabuar dhe kemi prova për këtë”, tha ajo. Për momentin, mosmarrëveshja për kufirin e pronës mbetet e pazgjidhur, ndërsa akuzat dhe kundërakuzat mes fqinjëve vijojnë pavarësisht përfundimit të çështjes penale ndaj Burrows.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: