Neptun Bajko e merr shtruar replikën me Agustin Kolën, që i pat thënë “dhëndri i gjeneralit”. I rikthehet me detaje titullit të vitit 1989, kur fitoi Tirana dhe 4 lojtarë të Partizanit u dënuan në fazën e tretë se nuk morën normat. Trajneri i shquar, që asokohe kishte timonin e të kuqve, flet gjatë edhe për diferencimet mes klubeve, influencën e ushtarakëve, si dhe “ndarjen” e lojtarëve që sipas tij dogjën një nga talentet më të mëdha të Partizanit, Foto Andonin.

 

Bajko nuk është dakord se Perlat Musta u dënua për t’i hapur rrugën Blendi Nallbanit dhe në intervistën për “Panorama Sport”, ai i bën apel popullit bardheblu ta heqë fjalën “persekutim”. “Për çfarë persekutimi mund të flitet me kaq lehtësi e papjekuri, kur Tirana në ato vite ndërtoi ekipin më të mirë? Tirana luajti një futboll të përparuar për kohën. Nëse vendoste ushtria cili fitonte, Partizani do bëhej si Juventusi…”, thotë ish-trajneri i Partizanit dhe i Kombëtares.

Z.Bajko, çështja e titullit të vitit 1989 ngjalli debate dhe reagime të shumta. Ju vazhdoni të mendoni se dënimi i 4 lojtarëve ishte tendencioz?

Unë kam folur me sinqeritet të plotë. Në atë kohë, ndoshta kjo ka qenë dhe subjektive, largimi i 3-4 lojtarëve bazë që ishin bërthama e ekipit, do të dëmtonte çdo skuadër. Pastaj, fakti që u dënuan të mos luanin, sepse nuk morën disa norma të cilat unë i kam quajtur dhe i quaj edhe tani abstrakte, ishte e dëmshme edhe për futbollistët, jo vetëm për skuadrën e Partizanit. Unë mendoj se për një futbollist nuk duhet të vendosin 3200-metërshi apo 3700-metërshi. Duhet të vendosin shumë cilësi të tjera, të cilat janë bazë për një futbollist. Të kuptohemi qartë, kjo nuk ndodhi vetëm te Partizani, por dhe në ekipe të tjera ku pati futbollistë që i pezulluan. Por nuk ishte aspak e mirë. Nuk ka qenë një zgjidhje e drejtë. Pavarësisht se çfarë fshihet ose është fshehur pas kësaj.

Çfarë mendoni ju se është fshehur?

Unë mendoj se shpeshherë të keqen në futboll, ne si ekip, e kemi pasur nga brenda. Në këtë aspekt edhe rrethanat e brendshme të një ekipi mund të kenë ndikuar.

Që do të thotë?

Që vendimet e atyre që komandonin, kamufloheshin shumë mirë dhe binte në sy jo qëllimi real që ata kishin, pra tendenca që të largonin nga ekipi disa lojtarë.

Pse duhej të hiqnin lojtarë ata “lart”?

Sepse ndoshta diku në administratë këtyre burokratëve ose përfaqësuesve, u jepej mundësia që të ndërhynin dhe të merrnin këto masa. Por ishin veprime prej tifozësh.

Të ndalemi pak këtu profesor. Po jua bëj pyetjen më konkretisht duke iu referuar dhe atyre që thotë Agustin Kola, pra që Partizanin e dëmtuan partizanasit që ishin në kupolë. A qëndron kjo?

Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kupola mendoj. Ishte shumë e rrezikshme për një klub, ose për një drejtues në sekretariatin e Partisë apo Komitetin Ekzekutiv të merrej me diçka të tillë. Ishte e rrezikshme për atë, por ishte e rrezikshme edhe për vetë futbollin. Ata e kuptonin shumë mirë një gjë të tillë, prandaj u lëvizën leva, që edhe nuk e kuptonin mirë futbollin dhe nga paaftësia e tyre në këtë fushë, arritën të bënin diçka të tillë.

Por ky nuk ishte problem që ua solli Tirana, apo jo?

Jo. Ky nuk ishte problem prej Tiranës. Unë e thashë që në fillim. Nuk ishte problemi i Tiranës, sepse nuk mund të ndikonte Tirana deri në atë masë për të tilla gjëra.

Ju përmendët fjalën “leva”… Këto “leva” u përkasin si të thuash mbështetësve të Partizanit?

Nganjëherë në momente të caktuara ne bëhemi më katolikë se Papa… Që do të thotë kur punon në një dikaster dhe shkon në një dikaster tjetër, do të tregosh që je i drejtë, që je i paanshëm, që nuk ke tifozllëk për atë ekip që ke pasur dhe që e drejtoje më parë nga lart. Esenca kjo është.

Neptun Bajko

Nëse e kuptuam mirë, esenca është që dikush që më parë kishte punuar për një klub tjetër, kur erdhi te Partizani bënte si njeri i paanshëm dhe i drejtë?

Pak a shumë… Por mos më kërkoni emra, sepse nuk do të përmend të tillë.

Agustin Kola ka përmendur ish-zv/ministrin e Mbrojtjes, Maliq Sadushin. A kishte gisht ai?

Jo. Nuk ka të bëjë fare ai. Unë emrin e di, por nuk dua të dal me emra në mbyllje të këtij cikli. Kushdo e kupton dhe kush ka qenë në atë kohë dhe ju do të keni ndoshta edhe telefonata.

Po na e thoni emrin, ç’të keqe ka?

Jo, jo. E kuptojnë njerëzit se kush ka qenë, kush drejtonte futbollin në atë kohë dhe nga radhët e kujt dikasteri ka vajtur atje.

Pasi ndodhi kjo, ju keni pasur ndonjë bisedë me ishlojtarët tuaj gjatë kësaj kohe që janë përmendur, p.sh. Ilir Lamen, Perlat Mustën?

Jo vetëm që është diskutuar dhe që kemi ndenjur me orë të tëra për të bërë biseda, por duhet ta dish prej meje: futbollisti është një qenie shumë e ndjeshme dhe e kupton përnjëherë nga bien kambanat. Dhe të katërt ata e kuptuan dhe ma thanë troç. Por unë u përpoqa të ruaj pozicionin. Unë isha trajneri, një shok i tyre, isha udhëheqës i tyre që i kisha drejtuar nëpër beteja.

Në një moment të tillë të vështirë t’i lija ata rrugës, do të ishte disfata më e madhe imja morale dhe profesionale. Dhe unë për këtë kam luftuar nga fillimi deri në fund. Madje, që me Marko Pelinxhin, Ledio Panon, Fatmir Hasanpapën, i kam marrë vetë. Kam bërë stërvitje edhe natën që të mos të na shihte njeri. Vetëm e vetëm që kur të vinte rasti i dytë i dhënies së provave, ta merrnin atë dreq 3200-metërsh që u bë një flamë për futbollin tonë në atë kohë.

A është e saktë të thuhet që një nga arsyet që u dënua Perlati ishte t’i hapte rrugë Blendi Nallbanit?

Aspak. Kam lexuar dhe përgjigjen e Blendi Nallbanit. Nuk është aspak e vërtetë. Perlat Musta, po e them hapur që ta dijë opinioni, nuk e lëshonte portën derisa t’i dilte fryma e fundit. Jo se ishte Perlat Musta, por stërvitej për të qenë ai Perlat Musta që njihte opinioni. Ai ishte i jashtëzakonshëm. Blendi ishte portier i talentuar, ishte shumë i ri, as 17 vjeç kur e kam marrë. Kishte të dhëna të shkëlqyera, por nuk kishte durim dhe nuk kishte vullnetin për t’u ngritur shpejt në aftësitë e tij. Kaq është kjo histori.perlat musta

Keni qenë dhëndri i një ish-gjenerali thotë Kola, a ju ka favorizuar kjo ndonjëherë në punën tuaj?

Jo. Nuk është e vërtetë. E para e punës, nuk është e hijshme që një futbollist i atyre niveleve siç është Agustin Kola të bjerë në të tilla pozita që të thotë se u martova dhe mora vajzën e një gjenerali. Nuk ka kuptim që të thuash se “ai tjetri mori vajzën e një tjetri…” e kështu me radhë. Çfarë rëndësie ka kjo? Nuk ka vlerë as atëherë dhe as sot.

Por, sa për korrektesë, gruaja ime ishte vajza e kryetarit të Gjykatës së Lartë që u dënua nga Plenumi i Komitetit Qendror. Dhe kur jam martuar unë, babai i saj kishte dalë në pension. Prandaj kam një thirrje: O Agustin Kola, është shumë keq ky debat që ke hapur në këtë aspekt. Ne kemi për detyrë të flasim për stërvitshmërinë, ecurinë e futbollit, ku arriti një ekip dhe ku çaloi një tjetër.

Pse nuk mund të flitet për histori që kanë vendosur fatet e një sezoni profesor?

Po, patjetër, por duhet të flasim edhe për çfarë të mirash kishte Tirana, Partizani dhe Dinamo. Pse futbolli i asaj kohe ishte shumë më i mirë dhe admirohej nga mijëra e mijëra sportdashës atëherë dhe sot etj, etj. Këto që thotë Kola, janë për të justifikuar termin “persekutim” që ai përdor shpesh për fat të keq. Unë nuk e kuptoj termin “persekutim” në futboll.

Bajko, a është persekutim t’i marrësh një klubi lojtarët më të mirë dhe a është persekutim që ata që nuk binden si Gëzim Kasmi, t’i çosh në Skrapar…?

Atëherë, po ju tregoj një ngjarje të atyre viteve si fillim. Në 1967-ën në një ndeshje vendimtare mes Partizanit dhe 17 Nëntorit ndodhën disa veprime të pahijshme në fushë. Grindje mes lojtarëve, tifozëve në tribuna, ishte një ngjarje shumë e shëmtuar, por realisht shumë e shëmtuar për kohën. U mor vendim nga organet përkatëse që të dyja ekipet të dënoheshin. Dhe ne u dënuam. Të dyja ekipet po luftonin për titullin kampion dhe në fund u shpall kampion Dinamo. Pra, nëse ka pasur vendime penalizuese, ato kanë qenë për të gjitha njësoj besoj, nuk ka pasur të preferuar, apo të persekutuar. Ai sistem ishte dhe me ato rregulla vepronte. Jua thashë, edhe unë shumë gjëra i konsideroj abstrakte nga ato rregulla, por ja që ajo kohë ishte.

Nallbani ka qenë produkt i Partizanit, pra e ka nisur aty karrierën, por ai është një ndër ata që thotë se Tirana ka qenë e persekutuar në atë sistem, madje ka qarë me lot kur ka ikur te bardheblutë për kushtet që kishte Partizani në atë kohë…

Kjo është tjetër gjë. Nëse interesimi te Partizani e Dinamo për mirëqenien dhe mbarëvajtjen e stërvitshmërisë së lojtarëve ishte shumë më i madh sesa në klubet e tjera, ky nuk është faji i Partizanit, por është faji i 17 Nëntorit dhe Komitetit të Partisë. E dyta, këta flasin për ushtrinë… Si thoni ju, këta gjeneralët e ushtrisë që tiranasit i përmendin vazhdimisht, po të donin a nuk e merrnin për 10 vjet titullin kampion në Shqipëri ashtu siç e merrte Juventusi 15 vjet rresht në Itali…?

NALLBA

Vërtet mendoni se ushtarakët bënin ligjin në sport asokohe dhe persekutonin klubet e tjera? Po mirë mo, po të ishte kështu do të fitonte vetëm Partizani, por statistikat thonë se ka fituar shumë edhe Tirana, edhe Dinamo, edhe Vllaznia, etj… Pra të mos ngatërrojmë pjesën e tifozllëkut të këtyre gjeneralëve me vendimmarrjen reale. Ishte tjetër gjë aspekti i dukjes së këtyre kuadrove të lartë që, ja unë jam tifoz i Partizanit, apo ai tjetri është i Dinamos.

Dakord, por ata nuk ishin njerëz pa influencë dhe ndonjëherë ndikonin që ndonjë lojtar edhe ta afronin te Partizani, apo jo?

Shikoni, në stadium ata ishin të rrethuar nga mijëra sportdashës që i njihnin si drejtues të këtyre ekipeve të famshme, por ata nuk bënin gjë tjetër veçse kënaqnin egon e tyre duke u “prezantuar” si tifozë, apo pjesëtarë të një klubi. Në fakt, nuk ishte gjithnjë kështu. Shumë rrallë ka ndodhur që ata të bënin ndonjë lëvizje apo të përcaktonin se ku do të shkonte ndonjë lojtar. Edhe kur kishin ndonjë gjë në dorë, nuk e bënin për të dëmtuar ekipin kundërshtar, por për të forcuar ekipin e tyre, sepse ashtu e mendonin.

Po, por Tirana nuk e kishte këtë luks…

Nuk e kishte Tirana dhe s’kishte si ta kishte. Ai sistem ashtu ishte. Nuk mund të flasim për sistemin e atëhershëm me logjikën e sotme. Duhet të më kuptoni. Por mund t’ju them me bindje se ai sistem ishte i tillë që nuk e shteroi asnjëherë konkurrencën. Nuk bëheshin skandale në stadiume dhe impiantet ishin plot. Rinia dhe populli kënaqej. Si shpjegohet kjo? Kur i vendos ushtria trofetë dhe se cila skuadër do të fitojë, nuk ka konkurrencë apo jo…?!

Fiton vetëm një ekip… Por ja që nuk ishte kështu dhe raste sporadike, apo mite të krijuara prej vitesh nuk mund të shndërrohen në argument diskutimi dhe të konsiderohen si të vërteta absolute. Tjetër gjë është të kesh tifozë ushtarakët e një vendi dhe tjetër është që ushtarakët të marrin vendimet apo të favorizojnë një ekip. Këto dy gjëra nuk duhen ngatërruar. Ndërkaq, po ju jap një përgjigje edhe për Gëzim Kasmin meqë e përmendët…

Cila është përgjigjja?

Unë kam qenë vetë prezent në klubin Partizani dhe kam pasur shok të ngushtë e mik të shtrenjtë Foto Andonin. Partizani dhe gjeneralët, siç thonë ata, nuk dërgonin në rrethe vetëm lojtarë të Tiranës.

Dakord, por çfarë ndodhi me Foto Andonin?

Kuadrot e ushtrisë, për të mos rënë në sy dhe për të mos ndikuar në opinionin futbolldashës, sepse duhet ta pranojmë që dhe ata e kishin frikë opinionin pavarësisht postit që mbanin, e çuan Foto Andonin ushtar në moshën 20-vjeçare në Shkodër. Bashkë me të edhe Ali Memën. Pra një nga Partizani, një nga Tirana. Të dy këta më pas përfunduan te Vllaznia. Por ju them me bindje se Foto Andoni ishte një nga talentet më të mëdha të shkollës së Partizanit. Ishte një lojtar me të dhëna europiane dhe së bashku me Ali Memën u çuan të bënin ushtrinë. Foto dhe Aliu që kishin vlera shumë të mëdha, kanë dhanë një kontribut të madh te Vllaznia.

Bajko_Neptun

Çfarë ndodhi më pas?

Aliu, mbaroi ushtrinë dhe u kthye te Tirana. Luajti për vite të tëra, u rrit dhe u bë mjeshtër i madh. Ndërsa, Foto Andoni, duke e ndier veten që u sakrifikua për një “drejtësi” absurde, nga krenaria dhe padrejtësia që iu bë, duke qenë një djalë me karakter të jashtëzakonshëm, e la futbollin në lulëzim dhe në moshën më të mirë. Partizani pra humbi një nga talentet më të spikatura. Prandaj them se nuk mund të flitet për persekutim, por për disa rregulla që herë ndihmonin një ekip dhe herë penalizonin dikë tjetër, por mendoj se nuk ka pasur ndarje preferenciale.

Po pse shumë ish-lojtarë të Tiranës janë të bindur se u janë bërë edhe padrejtësi në atë kohë?

Po për çfarë persekutimi mund të flitet me kaq lehtësi e papjekuri, kur Tirana në ato vite ndërtoi ekipin më të mirë? Tirana luajti një futboll të përparuar për kohën, u ndërtua me djem të rinj e plot talente. Madje nuk kam drojë të them se ishte një shembull që duhej imituar nga ne, sepse pasqyronte vlerat dhe karakteristikat më të mira të futbollit shqiptar.

A nuk ishte koha e gjeneralëve që vendosnin për çdo gjë? Si çdo sistem edhe ai nuk ishte i përkryer, por kurrën e kurrës nuk mund ta fitoje titullin pa meritë. Por nuk ishin vetëm Tirana dhe Partizani fitues. Ishte edhe Dinamo nga ’73-’80 kur dilte 4 herë kampion rresht. Edhe atij ekipi nuk kishe çfarë t’i bëje.

Po Dinamo a ka qenë ndonjëherë e favorizuar?

Dinamo u bë një ekip me diferenca të mëdha ndaj Partizanit dhe Tiranës. Ishte po sistemi që i jepte rëndësi marrjes së lojtarëve të rinj nga ekipet e tjera. A ishte e drejtë apo e padrejtë nuk di ta them. Por një gjë dihet, Dinamo u bë një ekip jo vetëm fitues i disa titujve rresht, por pasqyroi një futboll teknik me tipare sulmuese, i mirorganizuar dhe me vlera futbollistike. Në vitet ’79-’80 shfaqet Partizani kampion i futbollit me profesor Bejkush Birçen.

Pas shtatë viteve fitoi titullin me trajner Neptun Bajkon. Edhe të përkëdhelur, edhe të persekutuar nuk shkon. Unë e di shumë mirë që njeriu nuk mund të shërohet duke ia mbathur nga e kaluara, as të rëndohet apo të shfajësohet për gjëra që nuk ishin në dorën tonë. Sido që të bëhen krahasime, ato ngjarje i takojnë historisë, me të metat dhe të mirat e saj.

Pra, ju jeni i bindur se nuk ka pasur diferencime?

Me bindje unë them se ekipet, trajnerët dhe lojtarët kanë dhënë maksimumin, kanë pasqyruar nga brezi në brez vlera të pamohueshme, ku dallonte sakrifica, stërvitja e palodhur, ndërgjegjja e përgjegjshmëria e lartë, cilësia e talente, sepse kurrë nuk mund t’i fitosh zemrat e popullit dhe famën deri në adhurim të shumë talenteve pa meritë. Atëherë për çfarë persekutimi mund të flitet me kaq papjekuri kur Tirana në ato vite ndërtoi ekipin më të mirë?

Edhe sot ai futboll kujtohet me respekt, vlerësim e adhurim që edhe sot sportdashësit e ruajnë si diçka tepër me vlerë. Kur të vlerëson populli, nuk ka medalje më të lartë e të merituar. Sa herë që humbasim, duhet të kthehemi te vlerat më të mira të së kaluarës. Ta themi, ta shkruajmë, ta tregojmë të vërtetën, por me dashuri, pa mllefe dhe thjesht me sinqeritet…//Panorama.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb