Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se fundi i konfliktit me Iranin është ende shumë larg, duke folur në një aktivitet në Jerusalem.
“Nëse Irani sulmon Izraelin , do të pësojë një goditje shkatërruese, siç pësoi disa ditë më parë”, tha Katz, duke shtuar se forcat e armatosura izraelite ishin gati të nisnin sulme “me forcë të madhe”.
Pas sulmeve izraelite të dielën në periferitë jugore të Bejrutit – një zonë e konsideruar si një bastion i Hezbollahut të Libanit, Irani qëlloi me raketa Izraelin për herë të parë që kur hyri në fuqi një armëpushim i brishtë. Izraeli u përgjigj duke nisur sulme ajrore ndaj Iranit.
Të hënën, palët ndërluftuese njoftuan një armëpushim.
Ushtria izraelite konfirmoi të hënën se një bazë ajrore pranë Haifës ishte goditur në sulmet me raketa iraniane, por tha se nuk kishte viktima dhe se dëmet ishin të vogla.
