Një fjalim prekës dhe plot akuza ndaj gjendjes sociale e ekonomike në vend ka përcjellë para godinës së Kryeministrisë Flutura Kasa, me origjinë nga Kavaja, e cila ushtron detyrën si nënkryetare bashkie në Francë.

Kasa u shpreh se ndonëse jeton dhe shërben si zyrtare e pushtetit lokal në Francë, sa herë kthehet në atdhe përballet me mungesën e kushteve më minimale jetësore për bashkëpatriotët e saj:

“Jam Flutura Kasa, e lindur në Kavajë. Jetoj në Francë dhe jam nënkryetare bashkie atje. E njoh pak politikën dhe jap çdo gjë nga vetja për qytetarët atje, por sa herë kthehem këtu zemra më rrjedh gjak kur shoh që populli im vuan në këtë mënyrë. E kam prekur vetë me dorë atë që ju kaloni çdo ditë: në mes të vapës ikin dritat dhe mbetemi pa ujë. Si ka mundësi që një popull në mes të Europës të vuajë ende për ujë dhe energji elektrike?!”

Më tej, ajo zbërtheu krizën ekonomike me të cilën përballen familjet e thjeshta shqiptare, duke theksuar se sot në vend ekzistojnë dy realitete krejtësisht të ndryshme: Ndërtimi i kullave me burime financiare të dyshimta; Populli i thjeshtë që nuk siguron dot as gjerat më minimale për të jetuar, ndërsa çmimet e ushqimeve bazë rriten me hapa galopantë dhe euroja ka rënë në nivelin e 90 lekëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb