E trishtë! Një aksident i rëndë i ka marrë jetën gazetarit të News24, Enrik Mehmeti. Lajmi i hidhur ka tronditur familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin e gazetarëve.

Mehmeti ka humbur jetën në moshën 40-vjeçare, pas një aksideti me motor në plazhin e Porto Novës, në Zvërnec, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Gazetari Enrik Mehmeti ka raportuar ngjarjet nga qarku i Vlorës. Për vite me radhë, Mehmeti ishte fytyra dhe zëri që solli në ekranin e News24 ngjarjet më të rëndësishme të jugut të vendit, nga kronika e zezë te operacionet policore, zhvillimet sociale, politike dhe turistike. Ai njihej për praninë e menjëhershme në vendngjarje, raportimet ekskluzive dhe këmbënguljen për të sjellë informacionin e verifikuar, edhe në situata të vështira.

Ikja e parakohshme e kolegut Enrik Mehmeti është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe komunitetin e gazetarëve.

Enrik Mehmeti la pas bashkëshorten dhe 2 fëmijët.

Redaksitë e BalkanWeb dhe News24 u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të gazetarit Enrik Mehmeti për humbjen e tij të parakohshme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vlorë / Informacion paraprak

Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.

Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb