Unë nuk bëj me faj Edi Ramën, për situatën në të cilën ndodhet vendi. Për korrupsionin, (referuar raportit të fundit të Transparency International), për tenderat e paracaktuar, për nepotizmin, etj.

Nuk e bëj me faj Edi Ramën për dështimin në sistemin e shëndetësisë. “Shëndetësia falas”, është veç një parrullë e dalë boje prej kohësh. Në fakt shëndetësia falas nuk ka ekzistuar asnjëherë. Por më shumë se shëndetësia falas, në spitale s’po ka ilaçe, dhe njerëzit, po i blejnë vetë, e po i sigurojnë kontrabandë. Por as për këtë s’ka faj Edi Rama!

As për mjekët që po ikin, dhe askush nuk po flet më. As për kadiologët në mungesë, as për sistemin patronazhist që ka dështuar prej kohësh.

Kryeministri shqiptar nuk ka faj as për sistemin arsimor. Nuk ka faj se në shumë shkolla nuk ka sistem ngrohjeje. Nuk ka faj që klasat kolektive kanë dështuar, sepse janë kthyer në vende, ku thjesht mbarohet shkolla, dhe jo një vend ku mund të mësohet.

Rama s’ka faj, as për gjendjen e kriminalitetit në vend. S’ka faj as për lidhjet që mund të këtë zyrtarë të lartë me krimin. As për situatën ku ndodhet sot policia shqiptare. As për tenderat që janë bërë për makinat e policisë, ku një makinë pasi kryen një kilometrazh të caktuar, parkohet përpara komisariatit, sepse për çdo km tjetër, shteti duhet t’i paguaj para konçensionarit.

Rama s’ka faj për asgjë! Fundja ky është modeli i tij, kështu di ai të qeverisë, të drejtojë, t’i bëj punët. Dhe këtë e ka shfaqur hapur. Ky jam unë, po deshët më mbani, po deshët më hiqni. Ai ka prezantuar modelin, dhe janë të tjerët që e zgjedhin.
Po i kujt është faji atëherë? I popullit apo i sistemit?

Po sistemin a nuk e rrëzon populli, nëse do? Njerëzit a nuk janë ata që rrëzojnë sisteme?

Po a janë shqiptarët të shtypur nga politika e sotme?, – Po, janë!
Por edhe pse të shtypur, a nuk e kanë fuqinë njerëzit për t’u kthyer nga të shtypur në shtypës të këtij sistemi?
Padyshim që faji e ka një emër, dhe jemi vetë Ne. Qytetarët e paangazhuar, dhe që vetëm ankohen në rrjetet sociale nga mëngjesi në darkë, se Edi Rama është e keqja e këtij vendi.

Ne që nuk reagojmë as kur kemi prova përpara syve, se çfarë po ndodh në këtë vend. Nuk reagojmë as kur vjedhja është kthyer në sistem, e korrupsioni në standard, jo më të fshehur, por i hapur.

Nuk reagojmë kur qytetari i thjeshtë shtypet nga “ligji” i shtetit, i shembet shtëpia, dhe nuk dëmshpërblehet siç duhet.
Nuk reagojmë as kur në spital nuk gjejmë ilaçë, as kur s’ka mjekë.
Nuk reagojmë as kur bejnë rrush e kumbulla, 430 mln euro me inceneratorët. Nuk reagojnë, asnjë protestë, as kur publikohen të dhënat tona personale, të ID, nr tel, adresa, rroga, targa etj.

Nuk reaguam as kur u rrit çmimi i karburanteve, naftës, benzinës, gazit.

Qytetari shqiptar i 2022-shit, është një individ, i paangazhuar, që “bërtet” e shfryn vetëm në facebook, dhe jo më në shesh.

Ky individ është i rrëzikshëm për demokracinë, sepse kjo e ashtuquajtura demokraci, pak nga pak po merr virytet e komunizimit.

Individi i sotëm ka frikë se humbet punën, sepse i humbet punën djali, vajza, babai, bashkëshortja. Ose më keq, nuk i intereson se çfarë ndodh më në këtë vend.
Dhe kjo është e rrezikshme, duke parë ikjet masive të të rinjve nga Shqipëria, duke parë që ata që mbesin, e kanë të zënë kohën me kafet e lokaleve të Tiranës, me party-t, dhe nuk e kanë fare përgjegjësinë e qytetarit të përgjegjshëm, të angazhuar, që ta vërë pushtetin nën presion për ato që bën, në ëmër të këtij populli.

* Osman Stafa, Gazetar i News24

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: