Në ditën e 92-të të protestës përpara godinës së Kryeministrisë, aktivisti Edison Lika u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në shesh për të mundësuar largimin e kryeministrit Edi Rama, duke denoncuar përqendrimin e pasurisë te një grup oligarkësh dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Gjatë fjalës së tij përpara protestuesve, Lika theksoi se politikat e qeverisë po shkatërrojnë mundësitë e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen në atdhe, si dhe vetë konceptin e pronës.

“Një i ri sot në Shqipëri e ka të pamundur të blejë një apartament dhe të krijojë familje. Kjo është axhenda e Ramës kundër familjes. Ndër të tjera, a e dini se sa e ka dëmtuar pronën private Edi Rama? Shqipëria iu është shitur një dore oligarkësh. Tanimë nuk kemi as pronë publike dhe as private,” – deklaroi ai.

Aktivisti u ndal edhe te shifrat e varfërisë dhe kufizimi i lirisë qytetare, duke kërkuar reagim popullor nga të gjithë shqiptarët.

“Na thoni sa të lirë jeni nën sundimin e Ramës, ku liria jonë është vetëm të zgjedhim nëse do të bëhemi kriminelë apo patronazhistë. Sa të barabartë jemi nën këtë regjim, ku Shqipëria është pronë e 5 personave dhe të tjerët janë të detyruar të largohen? 40 për qind e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Ndaj iu themi të gjithë personave që janë në shesh dhe që na ndjekin nga shtëpia: Edi Rama i ka dhunuar të gjitha vlerat, ndaj ju lutem bashkohuni në shesh kundër këtij regjimi kriminal,” – përfundoi Lika.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb