Lorenc Gropa është efektivi i Policisë së Shtetit i cili u arrestua nga kolegët e tij më 24 maj. I riu me detyrë Trup Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Fier, është vënë në pranga pasi rezultoi se shiste kokainë. Në pranga ranë dhe të afërmit e tij, që trafikonin armë.

Sipas komunikatës zyrtare sqarohet se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) kishte marrë informacione se polici po hetohej si pjesë e një grupi kriminal dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Fierit, ka kontrolluar shtëpinë e tij, më pas e ka arrestuar.

Gjatë kontrollit në banesë u gjet një qese lëndë narkotike kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë.

Ndërkohë në pranga ranë dhe kushërinjtë e Lorenc Gropës, shtetasit Klevis Gropa dhe Ledjon Gropa, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, veprimtari të cilën dyshohet se e kryenin në ambientet e një bar kafe, në Patos.

Ambient në të cilin është futur në kurth dhe efektivi i Policisë së Fierit. Agjenti AMP-së është paraqitur për të blerë kokainë, siç kishte rënë dakord me Lorenc Gropën dhe të afërmit e tij dhe në momentin që ka ndodhur shkëmbimi, kanë ndërhyrë efektivët e policisë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se nga veprimet hetimore dhe këqyrja e telefonave, u dokumentua implikimi në trafikun e armëve në shtetin grek të shtetasit Skerdilajd Levendi, i cili u arrestua për “Trafikim i armëve dhe municioneve”, pasi ai negocionte me shtetas të tjerë në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasi Bruno Festimaj, i dyshuar për “Organizim i lojërave të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e ambienteve për lojëra të palejuara”, si dhe shtetasi Maliq Gropa, i dyshuar për “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Ndërkohë që vijojnë ende hetimit për të parë nëse ka ende persona të përfshirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: