Pas një sezoni me ulje ngritje dhe në një moment kur dukej se kishte hequr dorë nga mbrojtja e titullit, Egnatia është rikthyer fuqishëm në garën për trofeun dhe tani konsiderohet favoritja kryesore për t’u shpallur kampione e Shqipërisë.
Fitorja bindëse ndaj Elbasanit në ndeshjen e parë të “Final 4” jo vetëm që rriti besimin brenda skuadrës, por edhe tregoi qartë se rrogozhinasit janë ekipi më i kompletuar dhe më i përgatitur për të përballuar momentet vendimtare të sezonit.
TITULLI NË DORË – Me suksesin ndaj Elbasanit, Egnatia u ngjit në kuotën e 31 pikëve, po aq sa Elbasani dhe Vllaznia. Megjithatë, ndryshe nga rivalët, kampionët në fuqi kanë tashmë fatin plotësisht në duart e tyre. Dy fitore në dy ndeshjet e mbetura do t’i shpallnin automatikisht kampionë, pavarësisht rezultateve të skuadrave të tjera. Ky është ndryshimi më i madh në raport me javën e kaluar. Nga një ekip që dukej i detyruar të priste gabimet e kundërshtarëve për të mbajtur gjallë shpresat, Egnatia tani është në pozicionin ideal: mjafton të fitojë ndeshjet e veta dhe trofeu mbetet sërish në Rrogozhinë.
Argumenti më i fortë në favor të skuadrës së drejtuar nga Nevil Dede është forma e treguar në sfidën e parë ndaj Elbasanit. Egnatia u shfaq dukshëm superiore në çdo aspekt të lojës, duke kontrolluar ritmin, duke qenë më e qartë në organizim dhe më e qetë në momentet vendimtare. Në anën tjetër, Elbasani dhe Vllaznia duken të ngarkuara emocionalisht. Presioni i madh i tifozëve dhe pesha e pritshmërive kanë ndikuar te morali i tyre, ndërsa te Egnatia situata është krejt ndryshe. Për rrogozhinasit, pjesëmarrja në “Final 4” erdhi si një bonus dhe pa pretendime, në një moment kur shumëkush mendonte se mundësitë për titull ishin zbehur. Pikërisht kjo mungesë presioni po i lejon kampionët të luajnë më lirshëm dhe me më shumë besim.
PËRVOJA BËN DIFERENCËN – Një tjetër element që e vendos Egnatian në avantazh është përvoja. Dy titujt e fituar në sezonet e fundit kanë krijuar një mentalitet fitues dhe një grup lojtarësh që dinë si të menaxhojnë ndeshje me presion të lartë. Në kontrast, Elbasani dhe Vllaznia nuk e kanë shijuar titullin kampion prej më shumë se dy dekadash. Kjo mungesë eksperience në momentet kulmore mund të peshojë ndjeshëm në fazën vendimtare të sezonit. Egnatia, përkundrazi, ka treguar se di të ruajë qetësinë, të administrojë emocionet dhe të godasë në momentin e duhur.
