Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi priti sot në një takim Komisioneren Europiane për Ekonominë Digjitale dhe Shoqërinë, Mariya Gabriel.

Fokus i takimit ishte “Axhenda Digjitale” e Shqipërisë dhe progresi i bërë deri tani, siguria kibernertike, marrëveshja e re për uljen e tarifave “roaming” ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe digjitalizimi i shërbimeve publike.

Gjatë këtij takimi, Mesi u shpreh se Shqipëria po ecën përpara drejt shoqërisë dhe ekonomisë digjitale duke krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset për të përfituar nga teknologjitë e reja dhe inovacioni. “Një ndër elementët kryesorë për të cilët po punojmë dhe jemi në një linjë edhe me përqasjen rajonale dhe europiane është edhe aftësimi digjital i të rinjve”, shtoi ajo, duke nënvizuar përparësinë që i jep qeveria shqiptare promovimit të nismave digjitale si një instrument thelbësor për modernizimin e qeverisjes dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik për qytetarët e saj.

Pas pritjes, Mesi dhe Gabriel kanë vizituar sportelet e zyrave të shërbimeve të integruara ADISA pranë ZRPP, Tiranë. Komisionerja Gabriel në fjalën e saj e ka cilësuar si një shembull të shkëlqyer, shërbimin që qytetarët shqiptarë marrin pranë këtyre zyrave.

“Është shumë e qartë që edhe këtu ku jemi, kemi një shembull të shkëlqyer se si u ofrohen shërbimet publike qytetarëve. Është e rëndësishme që qytetarëve t’u ofrojmë shërbimet në mënyrë digjitale dhe efikase. U kursejmë kohën për të shkuar nga njëra zyrë tek tjetra”, u shpreh Gabriel duke vlerësuar punën e bërë nga qeveria shqiptare lidhur me axhendën digjitale.

Në lidhje me ‘Axhendën Digjitale”, Zëvendëskryeministrja Mesi u shpreh se Shqipëria është pjesë e strategjisë së BE për të përhapur axhendën digjitale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria është pjesë e kësaj strategjie dhe së bashku me Komisioneren  Gabriel po përcaktojmë hapat e domosdoshëm me qëllim që axhenda digjitale të jetë sa më prezente në Shqipëri dhe të ndikojë jo vetëm në ofrimin e shërbimeve të digjitalizuara, por edhe të përmirësojmë më tepër shërbimet online që ofron portali E- Albania”, tha Mesi.

Numri i dy i qeverisë, u shpreh se vendi ynë po merr mbështetjen e Bashkimit Europian edhe për të përfituar nga fondet që BE ka vendosur në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të axhendës digjitale.

“Në kuadër të kësaj iniciative të Bashkimit Europian janë vënë në dispozicion 80 milionë euro që do të jenë për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj është shumë e rëndësishme që ekspertiza e BE-së të na ndihmojë jo vetëm për rishikimin e strategjisë, por edhe në përcaktimin e hapave të nevojshëm dhe të domosdoshëm që Shqipëria të jetë si vendet e rajonit për të thithur sa më shumë këto fonde me qëllim që axhenda digjitale t’i shërbejë zhvillimit ekonomik”, u shpreh  Mesi.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb