“Nëse ka trajner më të mirë se unë, bujrum, unë do ta mbështes”. Kështu deklaroi Sulejman Starova mbas fitores 3-1 kundër Vllaznisë, dhe sipas informacioneve për “BalkaWeb” kjo deklaratë ka patur prapaskena. “Bobi” nga e hëna nuk do të jetë më trajner i Partizanit pasi në vendin e tij do të emërohet Gugash Magani, aktualisht trajneri i Teutës, raporton gazetari Jeton Selimi për “BalkaWeb”.

Starova dha dorëheqjen pas humbjes turpëruese kundër Luftëtarit, por drejtuesit vendosën ta kthenin në krye të detyrës dhe si duket kjo ka qenë vetëm për një ndeshje. Në rast se nuk ka ndonjë lëvizje surprizuese që mund të prishë marrëveshjen mes dy palëve, Magani do të prezantohet te Partizani ditën e hënë.

Ish-trajnerit të Tiranës dhe aktualisht të Teutës i është besuar projekti i ri i drejtuesve të cilët pritet të vendosin me dorë të hekurt gjatë merkatos së janarit. Po sipas burimeve të “BalkanWeb” në janar do të ketë skarcime të shumta, jo vetëm të dështimeve të afruara gjatë fillimit të sezonit, por nga të kuqtë do të largohen edhe një pjesë e mirë e senatorëve.

Për momentin një gjë është e sigurt, te Partizani në janar do të shohim një revolucion të vërtetë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb