Në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores Evis Ahmeti, në News24, është trajtuar ngjarja tragjike e ditës së djeshme, ku në një aksident në Fushë-Prezë 4 të rinj rreth moshës 20 deri 25 vjeç kanë humbur jetën pasi makina e tyre është përplasur me një betoniere.

Pas përplasjes, automjeti tip “Mercedes Benz” ka shpërthyer në flakë, ndërsa të rinjtë u dogjën brenda makinës.

Në një lidhje telefonike ka reaguar edhe një familjare e tre prej viktimave në familjen Laçi.

Ajo ka treguar se ditën e aksidentit të dy vëllezërit kishin shkuar bashkë me shokun e tyre në aeroportin e Rinasit për të marrë kushëririn e tyre i cili ishte kthyer nga Gjermania.

Sipas saj në momentin që janë kthyer makina është përplasur me betonieren e cila kishte ndaluar në rrugë.

Gjithashtu theksoi se djemtë kishin kërkuar ndihmë, por shoferi i betonieres nuk i kishte ndihmuar duke mos i hapur derën, përkundrazi ai ishte larguar.

“Ditën e aksidentit dy vëllezërit kishin shkuar bashkë me shokun në aeroportin e Rinasit për të marrë kushëririn e tyre i cili do të kthehej nga Gjermania. Në momentin kur janë kthyer, makina e tyre është përplasur me betonieren e cila kishte ndaluar në rrugë. Kur janë përplasur djemtë kanë bërtitur për ndihmë, por shoferi nuk i ka ndihmuar duke mos i hapur derën dhe është larguar”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb