KSAMIL- Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e Agron Xhezairit, babai i të shumëkërkuarit nga policia Albi Xhezairi, i cili akuzohet për vrasjen e Aleksandër Bardhit. Ngjarja në fjalë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në oborrin e banesës së viktimës.

Burime zyrtare bënë me dije për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se vrasja dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Të njëjtat burime sqarojnë se hetimet janë përqendruar në pistën e një hakmarrje të mundshme, ndërsa deri më tani janë të shoqëruar rreth 10 persona.

Bëhet e ditur se ata janë nga Ksamili dhe fshati Shëndëlli. Burimet, bazuar tek dëshmia e kunatës së viktimës, e cila ishte bashkë me 53-vjeçarin në momentin kur ai u qëllua, thuhet se: ‘Ishte një person që u largua’.

NGJARJA
Krimi i rëndë ndodhi të dielën ku 53-vjeçari Agron Xhezairi është vrarë me breshëri arme, ndërsa burime të BalkanËeb thonë se ka dyshime të forta që vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje, pasi djali i tij është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator në fshatin Shëndëlli.
“Rreth orës 17:40, është qëlluar me armë zjarri një shtetas, i cili ka gjetur vdekjen.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se në fshatin Ksamil të Sarandës, persona të pa identifikuar ende kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin A.Xh., rreth 53 vjeç, banues në Ksamil, i cili për shkak të plagëve të marra në trup ka ndërruar jetë disa minuta më vonë.

Ngjarja ka ndodhur në oborrin e banesës së këtij shtetasi, ky dyshohet se krimi është kryer me armë zjarri të llojit “Automatik”. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Policia ka ngritur grupe të posaçme kontrolli për krehjen e zonës përreth me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”,- thuhet në njoftimin e policisë.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb