Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM) emëroi autorin dhe diplomatin Robert Reilly si drejtor të ri të Zërit të Amerikës, pozitë që ai e ka patur nga viti 2001 deri në 2002.
Në një email për stafin e agjencisë të mërkurën, shefi i ekzekutiv i USAGM Michael Pack tha se përvoja dhe roli drejtues i zotit Reilly në Zërin e Amerikës do t’i shërbejë për mirë kësaj agjencie.

“Bob i ka kushtuar karrierën e tij, në fakt ia ka arritur të çojë përpara interesin kombëtar dhe politikën e jashtme të SHBA,” shkruante zoti Pack.

Zoti Reilly citohej në email të thoshte: “Kam qenë gjithmonë një mbështetës i patundur i misionit të Zërit të Amerikës, për t’i treguar botës përvojën amerikane.”

Zoti Reilly është drejtor i Institutit Westminster, një organizatë studimore e ngritur në vitin 2009 për të promovuar lirinë dhe që ka në fokus kërcënimet nga ideologjia ekstremiste.

Ai është autor i disa librave si “America on Trial” (Amerika në gjyq), botuar në fillim të këtij viti; “Making Gay Ok: How Rationalizing Homosexual Behavior Is Changing Everything” (Ta bësh të qënurit gay të pranueshme: Si po e ndryshon gjithçka racionalizimi i sjelljes homoseksuale) në 2015; dhe “The Closing of the Muslim Mind” (Mbyllja e mendjes myslimane) në 2011.

Zëri i Amerikës e kontaktoi zotin Reilly me telefon të mërkurën, por ai tha se nuk mund t’i përgjigjej telefonatës.

Drejtori në detyrë i Zërit të Amerikës Elez Biberaj njoftoi në një email për stafin të martën vonë se do të kthehej në pozicionin e tij si drejtor i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës pasi të vinte drejtori i ri.
Zoti Biberaj la të kuptonte se gjashtë muajt e kaluar kanë qenë periudha më sfiduese në historinë e fundit të Zërit të Amerikës. Ai theksonte se “disa zyrtarë të USAGM nuk respektuan rregullat, protokollet dhe proceset, që unë i konsideroj të paprekshme”, duke shtuar se “përpjekjet për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës kërcënuan të minonin besueshmërinë tonë të fituar me shumë punë”, por pa hyrë në detaje.

Që nga emërimi i zotit Pack në USAGM në qershor, krerët e rrjeteve të kësaj agjencie janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen; ai ka ndaluar miratimin e rinovimit të vizave për gazetarët e huaj që punojnë për agjencinë dhe të emëruarit e tij politikë kanë kryer hetime të brendshme ndaj gazetarëve dhe redaktorëve.
Muajin e kaluar një gjyqtar federal tha se disa nga vendimet e zotit Pack si kreu i USAGM shkelnin të drejtat e Amendamentit të Parë të Kushtetutës, që gëzojnë gazetarët. Gjyqtari urdhëroi zotin Pack të ndalte ndërhyrjen në mbulimin e lajmeve të Zërit të Amerikës si dhe kryerjen e hetimeve mbi gazetarët e saj. Megjithatë zoti Pack ruan kompetencën për të zgjedhur një drejtor të ri të Zërit të Amerikës.

Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Michael Pack si kreun ekzekutiv të USAGM më shumë se dy vjet më parë, por Senati nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën e tij, deri në qershor të këtij viti. Agjencia Amerikane për Mediat Globale mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë të financuar nga SHBA.

Emërimi tre-vjeçar i jep kreut ekzekutiv kompetenca të gjera për të punësuar dhe pushuar drejtuesit e rrjeteve. Megjithatë, një legjislacion që është në pritje për shqyrtim në Kongres mund t’i kufizojë këto kompetenca dhe të kërkojë nga kreu ekzekutiv që të marrë miratimin e një bordi këshillimor dypartiak të emëruar nga presidenti për veprimet e tij.
/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb