Pamjet me dron tregojnë një “varrezë” makinash, e cila është zgjeruar vit pas viti në hyrje të qytetit turistik të Gjirokastrës, vetëm pak metra larg rrugës kombëtare.

Makinat e shkatërruara i përkasin rasteve të kundravajtjeve ligjore apo aksidenteve dhe janë në ruajtje nga Policia e Shtetit deri në përfundimin e proceseve gjyqësore.

13 vite më parë qeveria shqiptare vendosi me një Akt Normativ, heqjen e mjeteve motorike, që ndodheshin pranë rrugëve kombëtare, por në shumë zona duket se ligji nuk është zbatuar.

Për më tepër në Gjirokastër vetë policia i zhvendosi disa vite më parë dhjetëra makina nga një zonë ushtarake në Dragot të Tepelenës në hyrje të Gjirokastrës, duke ngritur vetë një varrezë të re makinash.

Këto ditë ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla nxorri një urdhër të ri me efekt të menjëhershëm për heqjen e këtyre “varrezave” të makinave dhe në shumë qytete kanë nisur veprimet nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe vetë policia.

Zëri i Amerikës i kërkoi policisë së Gjirokastrës nëse do të ndërhynte për ta zhvendosur këtë varrezë makinash të ngritur nga vetë ajo në hyrje të qytetit që mbrohet nga UNESCO, por deri në përgatitjen e këtij materiali nuk mori një përgjigje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb