Elita Rudi është jo vetëm një emër i njohur për audiencën shqiptare, por edhe një personazh mjaft i dashur nga të gjithë. Modelja, e cila prej kohësh tashmë e shohim edhe në rolin e moderatores, ka zgjedhur që këtë herë të testojë veten në një zhanër tjetër të artit, muzikën. “Andërr” titullohet kënga e saj debutuese, e publikuar vetëm një ditë më parë, një projekt për të cilin Elita është përkushtuar shumë dhe është kujdesur për çdo detaj.

“Nuk është këngë për të gjithë njerëzit, nuk është komerciale”, ka treguar ajo për “Bluetooth”. Vajza që i ka fituar zemrën futbollistit të njohur shqiptar Bekim Balaj, vjen sa e ëmbël me zërin melodioz në hyrje të këngës që duket si një baladë, por edhe aq shpërthyese në vazhdim, teksa transmeton energji dhe mjaft talent. “Unë e dua artin dhe të bukurën, ndaj nuk do ta cilësoja bindje, sepse ato tinguj që më flejnë në shpirt i reflektoj përmes “andrrës” time”, -tregon ajo.

Përveç këngës, vëmendjen e fansave të modeles e ka rrëmbyer edhe videoklipi i saj romantik dhe djali që e shoqëron në video. “Ai është Rroni, trajneri im i Salsa-s”, zbulon ajo, teksa pranon se është një adhuruese e zjarrtë e kërcimeve latine, detaj ky që e bën një romantike të “pashërueshme”. E pyetur nga “Bluetooth” se cilat janë raportet e saj me romanticitetin dhe sa romantike është Elita në përditshmëri, ajo thotë, – “Varet me kë. Nëse mendoj që është personi i duhur, atëherë jam romantike”.

Por, veç projekteve në ekran dhe në muzikë, që për hir të së vërtetës kanë qenë mjaft të suksesshme, kohëve të fundit Elita është diskutuar edhe për lidhjen e saj me futbollistin e njohur shqiptar Bekim Balaj. Këngëtarja e re ka refuzuar të jap detaje në lidhje me këtë çështje, duke thënë se dëshiron që fokusi i audiencës të jetë tek kënga e saj e parë, e jo tek jeta private.

Sidoqoftë, çifti Rudi-Balaj janë njohur rreth gjashtë muaj më parë në Kroaci dhe që në takimin e tyre të parë kishte pasur një shkëndijë dashurie. Ndonëse në distancë, ata kanë arritur që ta mbajnë lidhjen e tyre gjallë, falë takimeve të shpeshta dhe udhëtimeve të prezantueses shqiptare drejt Kroacisë, ku Balaj luan prej kohësh me skuadrën e qytetit të Rijekës.

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: