Ekipet e Elite Youth Development Academy vijojnë programin e tyre të zhvillimit me ndeshje testuese në “Shtëpinë e Futbollit”. Këtë herë, skuadra U15 u përball në një takim miqësor me U15 e Dinamo City, ndërsa ekipi U14 zhvilloi një tjetër sfidë ndaj U15 të Teutës.

Të dyja ndeshjet u zhvilluan në një atmosferë shumë pozitive dhe me intensitet të lartë, duke u dhënë mundësi trajnerëve të vlerësojnë nga afër progresin individual dhe kolektiv të lojtarëve. Fokus i këtyre aktiviteteve mbetet jo vetëm aspekti teknik dhe taktik, por edhe zhvillimi fizik, disiplinor dhe psikologjik i futbollistëve të rinj.

Projekti Elite Youth Development Academy, i iniciuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, synon të krijojë një bazë sa më të fortë për talentet e së ardhmes, duke ofruar kushte profesionale stërvitore dhe monitorim të vazhdueshëm për lojtarët më premtues. Përmes stërvitjeve dhe ndeshjeve miqësore, stafet teknike kanë mundësinë të testojnë futbollistët në situata reale loje, si dhe të ndjekin nga afër zhvillimin e tyre në çdo drejtim.

Ndeshje të tilla shërbejnë si një hap i rëndësishëm në procesin e formimit të lojtarëve të rinj, duke i ndihmuar ata të fitojnë eksperiencë, ritëm dhe mentalitet konkurrues për sfidat e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb