Hektor Mahmutajt, i njohur si shqiptari më i kërkuar në Britani, është dënuar me 21 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.

Mahmutaj akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe ka qëndruar i fshehur për më shumë se 20 vite në Britani, me më shumë se 13 identitete false.

Njoftimi nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm:

Më datë 01.08.2020 autoritetet kompetente angleze kanë dorëzuar në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, për qëllim ekstradimi shtetasin me iniciale H.M, i dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, gjykuar në mungesë.
Shtetasi H.M ka qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme shtetasit me iniciale G.J, në vendin e quajtur “Kurrizi i Sinanit”, ku bëhet bashkimi i rrugës nacionale me rrugën e fshatit Kutë, (ngjarje e ndodhur në vitin 1997).

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, ka zhvilluar gjykimin e çështjes penale që i përket të pandehurit me iniciale H.M, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake ”, parashikuar nga nenet 78-25 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 146, datë 14.04.2000 ka vendosur:

1. Të deklaroj fajtor të pandehurin H.M, për veprën penale “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe në bazë të neneve 78 – 25 të Kodit Penal ta dënoj atë me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
2. Të deklaroj fajtor të pandehurin H.M, për veprën penale “Mbajtje pa leje të armëve luftarake ” dhe në bazë të nenit 278/2 të Kodit Penal ta dënoj me 1 (një) vit burgim
3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, ta dënoj të pandehurin H.M me një dënim të vetëm me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim
4. Vuajtja e dënimit të filloj nga dita e kapjes së tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

I dënuari H.M, bazuar në nenin 450/dh të K.Pr. Penale ka paraqitur kërkesë për “Rishikimin e vendimit penal nr. 146, datë 14.04.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier”.

Me vendimin nr. 62-2020-4019 (1333), datë 23.10.2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur:

-Pranimin e kërkesës së të dënuarit H.M.
-Rishikimin e vendimit penal nr. 146, datë 14.04.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, marrë formë të prerë në datë 24.04.2000.
-Dërgimin e çështjes për rigjykim në një tjetër trup gjykues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier.

Në përfundim të rigjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 62-2022-1170 (105), datë 11.03.2022 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit H.M, për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, të parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal, të ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.01.2001 dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit H.M, për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje të armëve luftarake ”, të parashikuar nga neni 278/2 të Kodit Penal, në fuqi me datë 09.07.1997 dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
3. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, të dënoj të pandehurin H.M me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vjet burgim, i cili duhet ta vuaj në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale H.M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe deklarimin e pafajshëm.

Në përfundim të gjykimit në apel, më datë 14.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Dokollari dhe anëtar Znj. Iliba Bezati dhe z. Fuat Vjerdha, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 105 datë 11.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, me këtë ndryshim:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit H.M. për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76-25 te K. Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.
-Ne aplikim te nenit 55 të K. Penal, në bashkim të dënimeve, të dënohet përfundimisht i pandehuri H.M. me 21 (njëzet e një) vjet burgim.

Mahmutaj u dënua me 25 vite burg për vrasjen e Gentjan Jahaj në korrik të vitit1997, në Shqipëri, po u arratis drejt Britanisë, ku qëndroi i fshehur për dy dekada.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb