Disa javë më parë këngëtarët e njohur korçarë Endri dhe Stefi Prifti promovuan projektin e tyre më të ri muzikor “Më e mira”, një këngë që u mirëprit e u pëlqye shumë nga publiku.

Dy këngëtarët në hyrje të programit “Dola te Ola” këtë të diel u shprehen të lumtur për suksesin e këngës, e cila deri më tani numëron 1.3 milionë klikime në kanalin e YouTube-it.

Stefi gjatë bisedës ndau edhe disa detaje nga krijimi i kësaj kënge, “Para 5 vjetësh kompozitori Endri Muçaj i thotë vajzës sime që kishte një këngë gati dhe dëshironte ta këndonim unë dhe Endri”.

Më tej ai shtoi se në atë kohë edhe pse e pëlqeu shumë këngën nuk ishte momenti që ai të këndonte një këngë të tillë, me nota ritmike dhe të gëzueshme. Më pas ishte periudha e pandemisë dhe momenti i duhur për ta publikuar ishte pikërisht maji i këtij viti.

Përveç këngës shumë të bukur, e veçanta e këtij projekti është edhe videoklipi, të cilin dy këngëtarët e xhiruan në Dubai.

Pjesë e klipit “Më e mira” është edhe bukuroshja kosovare Lorinda Kolgeci, të cilën vëllezërit korçarë e kishin parë gjatë xhirimeve të një programi në Kosovë për Vitin e Ri, dhe në momentin që u duhej një vajzë për këngën e re ata menduan se ajo ishte më e përshtatshmja.

Këngëtarët Endri dhe Stefi Prifti njoftuan se shumë shpejt do të vijnë me një projekt të ri muzikor në bashkëpunim me këngëtarin Ylli Baka, këngë e cila pritet të jetë suksesi i radhës i artistëve. Ndërkohë Stefi tha se një angazhim tjetër i tyre do të jetë pjesëmarrja në “Këngën Magjike”, “Do të marrim pjesë me një kompozim të Adrian Hilës, i cili vetëm hite ka bërë për ne”.

Vëllezërit korçarë dhuruan momente shumë të bukura në programin e fundit të “Dola te Ola” për këtë sezon, teksa kënduan këngën “Më e mira”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb