Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Endrit Shima, tour operator, ka folur për goditjen që pësoi turizmi nga pandemia e covid-19 dhe sfidat që e presin këtë sektor. Shima tha se turizmi duhet që me anë të programeve, granteve apo këshillimeve t’i përshtatet tregut të ri.

“Pandemia e coronavirusit goditi rëndë sektorin e turizmit. Tur operatorët janë në moment kolapsi dhe kërkohet ndihmë jo vetëm nga donatorë por edhe nga shteti. Në tetor të vitit 2020 bëmë një sondazh dhe rezultoi se mbi 60% e tur operatorëve kanë shkarkuar të paktën gjysmën e stafit. Imagjino pas 6 muajsh sa ka shkuar numri i të papunëve. Donatorë të tjerë dhe iniciativa janë shumë të mirëpritura pasi turizmi ka nevojë t’i përshtatet një tregu të ri, i cili pritet të jetë më shumë individual dhe jo i organizuar në grupe. Me anë të programeve, granteve apo këshillimeve mund të arrihet deri në njëfarë mase t’i përshtatet tregut të ri. Problem kryesor është humbja e stukturës në turizëm, njerëzit kanë nisur të kërkojnë punë të tjera, nuk mund të rrinë pa të ardhura. Guidat, janë njerëz të pavarur që paguhe dhe kanë nisur punë në tregje të reja. Ky vit duket akoma i zymtë, në momentin që turizmi do hapet, çfarë do ofrojmë ne kur i kemi humbur këto struktura?

Tur operatorët janë biznese të vogla me 3-4 punëtorë, në rastin më të mirë deri në 10, por të gjitha shërbimet e tjera janë të kontraktuara si transporti, shoqërimi, akomodimi etj. Tur operatorët janë biznes i vogël dhe i mesëm, por xhiroja është e madhe pasi futen pagesat e klientëve për të gjitha shërbimet, transportin, ushqimin, akomodimin. Por marzhi i fitimit është i vogël, pasi këto para shpërndahen në aktorë të ndryshëm. Por në Shqipëri xhiro është ajo që vendos kufirin e biznesit të madh apo të vogël. E rëndësishme që kjo xhiro është e vendosur që në 2020 dhe nuk duhet të kalojë 14 milionë lekë. Problem përveç strukturave është edhe mundësia për të investuar në produkte të reja. Kriza na sjell sfida të reja për produkte të reja. Sipas studimeve, tregu do jetë ai i udhëtimeve individuale. Nëse çmimet më përpara ishin në grupe, tani do përkthehen në grupe më të vogla”-tha Endrit Shima.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb