TIRANE – Një ndër personazhet më të dashur të momentit është pikërisht Ermal Mamaqi, aktori i njohur i humorit, i cili gjatë viteve të fundit i është përkushtuar biznesit dhe emisionit të tij shumë të veçantë “6 ditë pa Ermalin”. E ndërsa tashmë ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, Ermali premton shumë të papritura dhe surpriza që ende nuk është i gatshëm t’i zbulojë. Sidoqoftë, në këtë intervistë për “VIP Pages”, aktori na rrëfen mbi pushimet e tij luksoze në Santorini dhe festën surprizë që organizoi për përvjetorin e 5-të  të martesës me partneren e tij Amarda Toska.

Ermal, jeni rikthyer nga pushimet në Santorini, një vend shumë i lakmuar dhe i vizituar nga njerëz nga e gjithë bota. Mund t’i quajmë pushime luksoze?

Në fakt, këto kanë qenë pushimet më të shtrenjta qe kemi pasur deri më tani. Ishte gjithçka e shtrenjtë, nisur që nga fjetja, ushqimi dhe gjithçka tjetër.

Mund të na zbulosh një çmim mbi koston e këtyre pushimeve, pasi sipas informacioneve tona Santorini kushton rreth 300 euro një natë në hotel?

Po, ishte shtrenjtë. Megjithatë ndoshta nuk është me shumë rëndësi të zbulojmë një shifër.

Së fundi keni celebruar edhe 5-vjetorin e martesës. Ku festuat?

Kemi shkuar në një SPA në Durrës dhe kemi bërë trajtime të ndryshme.

Po mbrëmja?

Edhe gjatë mbrëmjes qëndruam në Durrës për darkë me të afërmit tanë.

Cila ishte surpriza që i bëre Amit për këtë përvjetor?

E gjithë mbrëmja ishte një surprizë, pasi fillimisht bëra sikur isha i painteresuar dhe më pas organizova gjithë ditën, nisur që nga dreka, e deri në orën 2 të natës.

Po dhurata e Amit për ty, cila ishte?

Ami më dhuroi një portofol bosh.

Po përgatiteni për sezonin e ri të “6 ditë pa Ermalin”?

Po, kemi filluar punën dhe do të jetë një sezon me shumë të papritura.

Do të ketë ndryshime në strukturë?

Ka disa surpriza që nuk mundem t’i zbuloj që tani.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: