Nga: DORJANA BEZAT
TIRANE – Rasti i humbjes së jetës së një 54-vjeçari, disa orë pasi u arrestua për vjedhje, solli në vëmendje mënyrën se si trajtohen personat me probleme shëndetësore në dhomat e shoqërimit.

Policia i ka të përcaktuara qartë rregullat dhe procedurat standarde. Një manual për trajtimin dhe sigurimin shëndetësor të kësaj kategorie e disponon çdo komisariat dhe për njohjen e tij, firmos çdo punonjës policie i dhomave të shoqërimit. Ai parashikon detyrimin e policisë që brenda 12 orëve të plotësojë për çdo të ndaluar kartelën mjekësore, duke përcaktuar sëmundjet dhe problemet shëndetësore të tyre.

Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani thotë se policia e ka detyrim dhënien e ndihmës mjekësore për të ndaluarit. Sipas Breçanit, çdo drejtori policie, dhe disa komisariate kanë në strukturën e tyre një mjek dhe ndihmës/mjek, i cili viziton personat e shoqëruar dhe të ndaluar.

Shërbimi shëndetësor i ofruar në polici është falas. Në rast se mjeku i policisë refuzohet, i shoqëruari mund të marrë një mjek tjetër kundrejt pagesës. Nëse personi i shoqëruar refuzon të bëjë vizitë mjekësore, ai duhet të nënshkruajë për këtë vendim.

Në rast se një person i shoqëruar apo i ndaluar vdes gjatë periudhës së paraburgimit, përveç organeve policore njoftohet edhe prokuroria e rrethit, të cilave iu vihen në dispozicion të gjitha dokumentet e personelit të shërbimit dhe atij mjekësor që janë marrë me personin që ka humbur jetën.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb