Ekspertët e “Eurosport” mendojnë se Xhankarlo Kamoleze mund të jetë zgjedhja e duhur për të vazhduar në vendin e lënë bosh nga Xhani De Biazi. Portali i rrjetit të njohur televiziv që i kushtohet sportit, ka bërë analizën e 5 zërave të bujshëm të merkatos të ditës së djeshme dhe një prej tyre rezulton të jetë ai i kontakteve mes FSHF-së dhe teknikut italian.

“Pas Xhani De Biazit, i cili bëri të ditur pak ditë më parë largimin e tij, Shqipëria mund t’i besojë një tjetër trajneri italian. Siç tregon ‘Sky Sport’, sot (dje) u zhvillua një takim i parë me Xhankarlo Kamoleze, për shumë vite i punësuar në klubet e Serisë A dhe B italiane, por pa ekip prej një viti, pasi kishte drejtuar në sezonin 2015-2016 zviceranët e Kiasos”, shkruan “Eurosport” që pastaj jep mendimin se si duhet të rrjedhin ngjarjet mes palëve.

“Sipas nesh: prodhimi italian vazhdon të jetë në modë jashtë Italisë dhe mjafton të shohësh rezultatet e bashkëkombësve tanë për ta kuptuar. Jo vetëm emra si Konte e Ançeloti, por edhe Bordin, Marko Rosi, vetë Tramexani.

Edhe De Biazi, i cili një vit më parë arriti rezultatin më të rëndësishëm të historisë shqiptare. Ndaj, përse të mos e riprovojnë? Kamolese mund të përfaqësojë zgjedhjen e duhur”, janë fjalët e ekspertëve të “Eurosport” në versionin italian të portalit./Panoramasport.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb