Analisti Fatos Lubonja në një lidhje me skype në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 deklaroi se përgjimet e “Bild” treguan se në Shqipëri pushteti dhe krimi janë një gjë e vetme. Po sipas tij, regjimet është e vështirë t’i kalosh me mënyra demokratike.

“Duke u nisur nga përgjimet e Bild neve arrijmë në një pikë ndërgjegjësimi kombëtar dhe ndërkombëtar se këtu tek ne ka ndodhur diçka që i ka bërë të vjetra kategoritë shtet- krim, apo shtet-korrupsion. Kur arrin një pikë e tillë që e quaj pikë vlimi, grumbullimi i aq shumë krimi bën që të ketë një kalim në një regjim tjetër, pra pushteti dhe krimi janë një gjë e vetme. Në këtë kuptim jemi në një regjim të krimit, regjimet vështirë se ndryshohen me forma demokratike, është kapur gjithçka nga një dorë”,- tha Lubonja.

Por si e sheh analisti shtyrjen e zgjedhjeve me çdekretimin e tyre nga Presidenti, a është kjo në funksion të zgjidhjes së krizës?

Sipas tij, “Është nevoja për një ndryshim radikal. Shtyrja e zgjedhjeve më duket sikur nuk do ketë sukses. Ka nevojë për një ndryshim radikal sa nuk e sjell dot dialogu me opozitën. Rama ka shkuar aq shumë larg me regjimin e tij, sa regjimi s’mund të largohet me dialog. Të gjitha pushtetet janë kapur nga një dorë e vetme, po tentohet të kapet edhe Presidenti. Regjimet rrëzohem kurse krimi dhe korrupsioni luftohen. Regjimet rrëzohen nga populli, ndodh që rrëzohen edhe nga vetvetja, siç ndodhi me regjimin komunist, rrëzohen nga rinia që nuk pranon një situatë të tillë. Por, thelbi i asaj që them është se nuk duhet të presësh ndryshim nga ata që e kanë vënë regjimin”,- shtoi analisti.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb