NGA OLA MITRE*

TIRANË- Lista përfundimtare e fituesve në universitete do të shpallet në datën 14 shtator. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve në këtë datë do të dalin pikërisht listat me fituesit e fazës së dytë, por paraprakisht të gjithë ata kandidatë, të cilët janë shpallur fitues në listën paraprake do të duhet të ndjekin procedurat on-line, për të konfirmuar degën e fituar ose për të vazhduar garën për një preferencë më të lartë. Për këtë arsye, AKP risjell në vëmendje të gjitha hapat që duhen ndjekur, ndërkohë që afati i fundit është data 9 shtator. Ashtu sikurse është bërë e ditur edhe më herët, maturantët që nuk bëjnë regjistrimin on-line, humbin përfundimisht vazhdimin e studimeve në degën ku janë shpallur fitues.
Hapat
Për të kryer regjistrimin on-line, i cili iu mundëson konfirmimin e preferencës së fituar apo vijimin e garës duhet të ndiqni disa hapa. Hapi i parë pas logimit në sistem është ai i regjistrimit. Pra në momentin që klikohet butoni “Regjistrohu”, është kryer regjistrimi nga aplikanti në atë program studimi ku është shpallur fitues.

Hapi i dytë ka të bëjë me faktin nëse dëshironi të vazhdoni garën për një preferencë më të lartë apo do të qëndroni në atë preferencë ku keni fituar. Kështu, nëse doni të vazhdoni konkurrimin për preferencat më të larta, zgjidhni (klikoni) opsionin: “Vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë” dhe klikoni butonin: “Ruaj”. Pasi të klikoni te butoni “Ruaj”, do t’ju shfaqet mesazhi “Veprimi u krye me sukses” dhe pas kësaj mund të dilni nga faqja.

AKP sqaron se ‘të vazhdosh garën për preferencë më të lartë’ do të thotë që në listat e fazës së dytë që do të shpallen në datë 14 shtator 2015 mund të shpallesh fitues në një preferencë më të lartë nëse plotëson parimin e meritës ose nëse nuk i plotëson pikët mbetesh fitues në po të njëjtën preferencë.

Ndërkohë që, nëse jeni shpallur fitues te një preferencë e ndryshme nga preferenca e parë dhe dëshironi të regjistroheni në mënyrë përfundimtare aty, pra të mos vazhdoni konkurrimin për një preferencë më të lartë, duhet të zgjidhni (klikoni) opsionin: “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar” dhe më pas të klikoni tek butoni: “Ruaj”.

AKP thekson se nëse keni vendosur përfundimisht ta ndërprisni garën, veprimi i mësipërm duhet të kryhet përpara se të dilni nga faqja, pasi në rast të kundërt, regjistrimi juaj bëhet në mënyrë automatike nga sistemi me opsionin “Vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë”. Po ashtu, Agjencia Kombëtare e Provimeve sqaron se veprimi i regjistrimit on-line lejohet të kryhet vetëm njëherë, ndërkohë që për aplikantët me Formularët A2, të cilët nuk janë shpallur fitues në këtë fazë, do të presin dhe do të kontrollojnë nëse kanë fituar në listat e fazës së dytë, që shpallen në datën 14 shtator. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” boton sot udhëzimin e plotë për regjistrimin on-line si dhe pikët e fituesit të fundit për fazën e parë, në vitin e kaluar.

(m.k/GSH/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb