Gazetari i News24, Osman Stafa, ka mbajtur një fjalim në protestën para Kryeministrisë, ku u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke deklaruar se ndryshimi vjen vetëm përmes angazhimit të qytetarëve.
Në fjalën e tij, Stafa u shpreh se protestuesit tashmë janë pjesë e historisë dhe se qeveria, sipas tij, e mban shoqërinë nën kontroll përmes frikës.
“Tashmë ju jeni pjesë e historisë. Ky regjim i frikëson shqiptarët me rrogën, me të ardhmen e tyre. Institucioni i frikës i mban shqiptarët me zor, duke i kërcënuar me bukën e gojës. Kur ky shesh e vret frikën, pushtetarët janë ata që frikësohen”, deklaroi ai. Stafa kritikoi qeverinë për premtimet e pambajtura, duke përmendur furnizimin me ujë dhe procesin e legalizimeve, ndërsa tha se qytetarët përballen ende me burokraci për të marrë dokumentet e pronave të tyre.
Ai ndaloi edhe te sistemi shëndetësor, duke pretenduar se qytetarët përballen me mungesë trajtimesh dhe pajisjesh mjekësore. “Në spitale qytetarët detyrohen të marrin me vete vigona e serume. Pacientët me kancer gjinekologjik nuk marrin trajtimin e nevojshëm dhe mungojnë pajisje si PET Scan. Edhe ata që pësojnë goditje në kokë nuk trajtohen siç duhet”, u shpreh Stafa.
Gazetari u bëri thirrje qytetarëve që kanë përjetuar situata të tilla t’i bashkohen protestës, ndërsa iu drejtua edhe të moshuarve, duke i ftuar të reflektojnë mbi emigrimin e fëmijëve të tyre. “A nuk ju vjen keq që fëmijët tuaj janë larguar jashtë vendit? Ata punojnë larg familjeve të tyre për t’ju mbështetur ju. Para partisë është familja juaj, është Shqipëria. Partitë që janë provuar në këto 36 vite e kanë pasur mundësinë e tyre. Tani është koha e brezit të ri, që e do këtë vend dhe është gati të sakrifikohet për të”, përfundoi Osman Stafa.
