TIRANE

Në një kohë kur sot është Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë ku po mblidhen fonde që do të shërbejnë për rindërtimin e godinave të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit, inxhinieri Arben Meçe shprehet optimist. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, Meçe deklaroi se shumat që do të jepen nga shtetet pjesëmarrëse në konferencë do të jenë donacione dhe një pjesë kredi të buta. Ai pohoi mes të tjerash se në këtë konferencë mund të mblidhen rreth 450 milionë dollarë.

“Ka një solidaritet jo të vogël për Shqipërinë. Sot përfaqësohemi në një konferencë donatorësh, me 100 shtete. Në këto momente është e qartë se do të kemi pritshmëri të mira. Për mua do ta kalojë shifrën e 450 milionë euro. Nuk është vetëm donacion. Është kombinim midis kredive të buta dhe donacionit. Për mua nëse kalon tek 120 është shumë mirë, është kredi e butë. Shqipëria ndodhet në një situatë që ka përqindje të lartë borxhi.”, tha Meçe.

Teksa u pyet në lidhje me faktin nëse ka qeveria një plan masash B nëse nuk mblidhen fondet për rindërtimin, ku fatura është 1 miliard lekë dëme, Meçe tha në këtë rast duhet të ‘shtrëngohet rripi’.

“Plani B nuk është diskutuar dhe planet e tjera po ashtu. Në komitetin e Rindërtimit është prezantuar plani për riparimin e dëmeve. Është metodologji që nuk është shqiptare. Plani B do të thotë; të mbledhim rripin. Është si një shtëpi e varfër që u prishet shtëpia, që do të thotë që të marrim borxh deh të mbledhim rripin. Debati nuk është që të fusim njerëz në shtëpi, por të ndërtojmë qendra urbane.

Dëmet e tërmetit janë të përmasave të tilla sa që është e vështirë që të bëhet një zhvillim i tillë. Jo se nuk janë fuqia punëtore, por rikuperimi do kohën e vet fizike. Unë kam qenë usta në Lezhë në 79-ën gjatë kohës që ky vend dhe Shkodra u godit nga tërmeti. Në atë kohë pati mobilizim. Sot jemi në rrethana të tjera, ku demokracia është liberale dhe angazhim punëtor është më i vështirë. Është logjike që njerëzit, në hallin e vet që të shprehin hallin e tyre, sot ka qindra njerëz që janë në rrugë. Por duhet të kuptojnë një gjë. Unë duke bashkëjetuar dhe më hallin e tyre, u them se çfarë mund të bëhet në një kohë të shkurtër për ta?!”, tha Meçe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb