Forcat tokësore izraelite kanë dëmtuar ose shkatërruar të paktën gjashtë varreza gjatë avancimit të tyre në Rripin verior të Gazës, shumica prej tyre në javët e fundit, sipas një analize të imazheve të reja satelitore dhe pamjeve video nga The New York Times.

Në lagjen Shajaiye të qytetit të Gazës, ku luftimet e përgjakshme u ndezën ditët e fundit, forcat izraelite rrafshuan një pjesë të varrezave tuniziane për të ngritur një pozicion të përkohshëm ushtarak.

Një imazh satelitor nga e diela tregon automjete të blinduara dhe fortifikime dheu në varret e paprekura ditë më parë. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj pyetjeve të “The Times” në lidhje me arsyen e rrafshimit të varrezave dhe nëse ka marrë ndonjë masë paraprake për të mbrojtur objektet fetare në Gaza. Ligjet e konfliktit të armatosur e konsiderojnë shkatërrimin e qëllimshëm të objekteve fetare pa nevojën ushtarake një krim të mundshëm lufte.

Pjesa më e madhe e dëmit u shkaktua këtë muaj, ndërsa forcat izraelite përparuan drejt asaj që Zyrtarët izraelitë besojnë se janë bastione të mbetura të Hamasit të ndërtuara dendur në zonat e qytetit të Gazës. Izraeli duket se po përdor të paktën një varrezë si bazë të përkohshme për automjetet ushtarake.

Mjetet ushtarake izraelite shkatërruan dhjetëra varre në një varrezë më të vogël në fillim të dhjetorit, pranë një pozicioni ekzistues izraelit gjysmë milje në veriperëndim të varrezave tuniziane. Një video e publikuar nga ushtria izraelite të dielën tregon ushtarët që me sa duket janë përfshirë në luftime në zonë.

Në të njëjtën ditë, në lagjen Jabaliya të qytetit të Gazës, imazhet satelitore treguan gjurmë të reja dhe automjete të mundshme ushtarake në varrezat e Al-Faluja. Më vonë pamjet video tregojnë dëmtime në varreza, por jo pozicione të vendosura ushtarake. Një pozicion i mundshëm ushtarak u vendos në një varrezë në Beit Hanoun, gjithashtu në Gazën veriore.

Asnjë automjet ushtarak nuk shihet në imazhin satelitor të së dielës, por fortifikime të ngjashme prej dheu janë të krahasueshme me ato të ngritura nga forcat izraelite në dhjetëra vende në Gaza. Këto pozicione mbrojtëse janë përdorur vetëm për një periudhë të kufizuar kohore ndërsa ofensiva tokësore lëviz më thellë në Gaza. Varrezat e tjera të identifikuara nga The Times si të rrafshuara nga forcat izraelite ishin në Sheik Ijlin, një lagje e qytetit të Gazës dhe Beit Lahia, një qytet në veriun e largët të Gazës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: