Presidenti i Guinesë, Alpha Conde, të dielën u arrestua nga ushtarët e udhëhequr nga një kolonel i ushtrisë, të cilët njoftuan këtë hap në televizionin shtetëror.

Duke iu drejtuar kombit në transmetuesin publik RTG, koloneli Mamadi Doumbouya tha se presidenti Alpha Conde është i sigurt dhe në paraburgim.

“Kemi marrë të gjitha masat për të siguruar që ai të ketë qasje në kujdesin shëndetësor dhe të jetë në kontakt me mjekët. Gjithçka do të jetë mirë”, theksohet në deklaratën që i atribuohet Doumbouya-s.

Duke u zotuar se do të rivendosë demokracinë në këtë shtet të Afrikës Perëndimore, Doumbouya tha se Komiteti Kombëtar për Tubim dhe Zhvillim, emrin që trupat i kishin vënë vetë, do të anulojë kushtetutën dhe shpërndajë qeverinë e vendit, ndërsa gjithashtu do të mbyllë kufijtë tokësorë dhe ajrorë për një javë.

I veshur me një flamur të Guinesë, koloneli u shoqërua nga një duzinë ushtarë të tjerë me uniformë, duke nënvizuar se “detyra e një ushtari është të shpëtojë vendin”.

Ai akuzoi Conde-n për personalizimin e politikës dhe se nuk po bënte sa duhet për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe sociale të njerëzve.

“Ne më nuk do t’ia besojmë politikën një njeriu. Do t’ia besojmë atë popullit”, tha ai, duke pretenduar se “po vepron në interesin më të mirë të kombit”.

Pamjet e ndalimit të Conde-s nga forcat speciale qarkulluan herët gjatë ditës në mediat sociale.

Conde, 83-vjeçar, u rizgjodh për një mandat të tretë në tetor të vitit 2020 në zgjedhjet e përfshira nga dhuna.

Ai për herë të parë erdhi në pushtet në vitin 2010 në votimin e parë që u cilësua si zgjedhjet e para demokratike që kur ish-kolonia franceze fitoi pavarësinë.

Paraburgimi i tij u raportua në mediat vendore brenda disa orësh pasi të shtëna me armë u dëgjuan në kryeqytetin Conakry rreth pallatit presidencial të dielën në mëngjes.

Raportimet gjithashtu theksuan se ushtarët u panë duke lëvizur nëpër kryeqytet pranë pallatit presidencial dhe duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi.

Doumbouya më vonë gjithashtu zëvendësoi të gjithë guvernatorët rajonalë me komandantë ushtarakë.

Deklarata që i atribuohet Doumbouya-s tha gjithashtu se zyrtarët lokalë ishin zëvendësuar nga ushtria, ndërsa sekretarët e përgjithshëm të departamenteve ministrore tani janë përgjegjës për punët e përditshme.

“Ministrat në largim janë të ftuar në një takim të hënën, më 6 shtator në orën 11:00 në pallatin e popullit. Çdo refuzim për të dalë do të konsiderohet si rebelim”, thuhet në deklaratë.

Vendimet u zbuluan disa orë pasi ushtria njoftoi marrjen e qeverisë në këtë shet të Afrikës Perëndimore, duke shpërndarë në fakt Asamblenë Kombëtare dhe kushtetutën.

Për të siguruar vazhdimësinë, ushtria gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të paraqiten në punë të hënën.

Ora policore mbarëkombëtare gjatë natës do të jetë në fuqi deri në njoftimin e mëtejshëm.

Një burim ushtarak u tha mediave lokale se ura e vetme që lidh vendin me lagjen Kaloum, e cila strehon shumicën e ministrive dhe pallatit presidencial, është mbyllur nga trupat e armatosura rëndë.

Qasja në zonën më të madhe në Conakry ka mbetur e bllokuar nga ushtarët nga Coyah, një qytet i vendosur 50 kilometra nga kryeqyteti.

Reagimet ndërkombëtare

Në Twitter, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “dënoi ashpër” kapjen e pushtetit.

“Personalisht po ndjek situatën në Guine nga afër. Dënoj fuqishëm çdo marrje të pushtetit me forcën e armës dhe bëj thirrje për lirimin e menjëhershëm të presidentit Alpha Conde”, tha ai.

Kryetari i Unionit Afrikan, Felix Tshisekedi, dhe kryetari i Komisionit të Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, iu bashkuan Guterres-it të dielën vonë në dënimin e grushtit të shtetit dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të presidentit Conde.

Në një komunikatë të përbashkët, Tshisekedi, i cili është gjithashtu president i Republikës Demokratike të Kongos, dhe Mahamat, bënë thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Paqes dhe Sigurisë të Unionit Afrikan për të “marrë parasysh situatën e re në Guine dhe për të marrë masat e duhura nën këto rrethana”.

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) gjithashtu dënoi grushtin e shtetit.

Në një deklaratë me shkrim, ECOWAS theksoi se integriteti fizik i Conde-s duhet të respektohet.

Gjithashtu bëhet thirrje për lirimin e menjëhershëm të Conde-s dhe të arrestuarve së bashku me të.

ECOWAS u bëri thirrje palëve që të vendosin menjëherë rendin kushtetues në vend dhe gjithashtu dënoi marrjen e pushtetit nga ushtria dhe kërcënoi me sanksione.

Deklarata nga blloku nën-rajonal kërkoi “kthim në sundimin kushtetues”, ndaj dështimit të së cilës “do të zbatohen sanksione”.

Ministria e Jashtme e Francës dënoi gjithashtu grushtin e shtetit dhe tha se Parisi është në kontakt të ngushtë me aleatët e tij afrikanë dhe ndërkombëtarë.

Ndërkohë, ambasada franceze në Conakry u kërkoi qytetarëve të saj në Guine të qëndrojnë në shtëpi deri në një njoftim tjetër.

Duke refuzuar marrjen e pushtetit nga ushtria, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, në një deklaratë me shkrim tha se dhuna dhe hapat antikushtetues do të shkatërrojnë vetëm perspektivat e Guinesë për paqe, stabilitet dhe prosperitet.

“Këto veprime mund të kufizojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të Guinesë për të mbështetur vendin derisa ai drejtohet në rrugën drejt unitetit kombëtar dhe një të ardhme më të ndritur për popullin e Guinesë”, vuri në dukje ai.

Të dielën vonë, Turqia dënoi “përpjekjen për grusht shteti” në Guine dhe ndalimin e presidentit të vendit, duke thënë se i sheh zhvillimet e fundit me “shqetësim të thellë”.

Raportet e mediave lokale treguan se mbështetësit e opozitës dolën në rrugë në Conakry me të rinjtë ngazëllues që vallëzonin duke mirëpritur marrjen e pushtetit nga ushtria.

Conde në vitin 2011 i mbijetoi një atentati pasi persona të armatosur sulmuan shtëpinë e tij dhe qëlluan me raketa dhomën e gjumit dhe pjesë të tjera të kompleksit, duke vrarë një nga truprojat.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb