Pas një prilli pa gara, Formula 1 u rikthye në aksion për Çmimin e Madh të Majemit, event që nisi me triumfin e Lando Norrisit në Sprintin e së shtunës, ndërsa protagonisti kryesor ishte Kimi Antoneli, i cili fitoi garën. Në këtë speciale ju pasqyrojmë disa nga momentet më pikante të fundjavës, kuriozitete dhe prapaskena nga “paddock”-u, mes të ftuarve specialë dhe momenteve jashtë piste, ja çfarë ndodhi në Majemi.
ARGËTIM NË BOKSET E MERCEDESIT – Andrea Kimi Antoneli dhuroi spektakël jo vetëm në pistë me Mercedesin e tij, por edhe në bokse. Sapo mbërriti në “paddock”, ai shkoi të përshëndeste inxhinierin e tij të garës, Bono, duke i derdhur çajin sipër pa dashje. “Kam bërë tashmë dëme, çfarë rrëmuje!”, u shpreh piloti italian. Më pas, ai festoi ditëlindjen e një mekaniku duke i lyer fytyrën me tortë, një traditë brenda ekipit. Këtë herë, megjithatë, “hakmarrja” erdhi shpejt dhe ëmbëlsira përfundoi edhe mbi të.

SFIDA INTERESANTE NË FERRARI – Në bokset e Ferrarit pati tension dhe argëtim gjatë një ndeshjeje ping-pongu në çift, ku Sharl Lëklerk dhe Fred Vasër u përballën me Luis Hamilton dhe Marques Braunli, një “YouTuber” amerikan i njohur si “MKBHD”. Lëklerk provoi edhe një sfidë futbolli me uruguaianin Luis Suarez në një lojë “tunelesh”, duke humbur ngushtë 5-3.

MESI, NJË TIFOZ I SPECIAL – Ndoshta rastësi, por pikërisht kur Lionel Mesi erdhi për ta mbështetur, Franko Kolapinto arriti rezultatin më të mirë në karrierë: vendin e shtatë, i ndihmuar edhe nga penalizimi prej 20 sekondash ndaj Lëklerkut. Dy argjentinasit u përqafuan në “paddock” dhe Kolapinto publikoi një mesazh falënderimi për lojtarin e Inter Majemit: “Je një idhull dhe kjo ka qenë një nga javët më të bukura të jetës sime”. Ai iu referua edhe shfaqjes së tij me makinën Alpine në Buenos Aires, event që tërhoqi mbi 500 mijë tifozë.

HAXHAR NË STILIN E TAJSON – Dukej si një ndeshje boksi, por ishte thjesht Isak Haxhar që shfrynte frustrimin duke goditur Red Bullin. I nisur nga “pit lane” për shkak të skualifikimit në kualifikuese (për një problem me fundin e makinës), piloti francez u detyrua të tërhiqej që në xhiron e gjashtë pas një gabimi të rëndë, që e çoi në përplasje me murin. Një fundjavë për t’u harruar për Haxharin, i mposhtur qartë edhe nga Maks Vershtapen.

NJË DEDIKIM I VEÇANTË – Gara në Florida përkoi me ndarjen nga jeta të ish-pilotit Aleks Zanardi, një bolonjez si Antoneli. Ylli i Mercedesit e përmendi disa herë gjatë fundjavës: “Ishte një shembull, jo vetëm për atë që bëri në pistë, por për mënyrën si përballoi çdo sfidë”, deklaroi lideri i kampionatit pas “pole position”-it. Pas garës ai shtoi: “Doja shumë ta fitoja këtë garë për t’ia dedikuar atij”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb