Kukësi do të tentojë të mbajë gjallë shpresat për mbijetesë këtë të premte, kur do të ndeshte me Skënderbeun në “Kukës Arena”.

Një fitore e mban ende në lojë, ndërsa çdo rezultat tjetër mund ta rrëzojë edhe matematikisht nga elita, nëse rivalët më të afërt fitojnë ndeshjet e tyre respektive. Blutë duan të mos e përjetojnë këtë dramë në shtëpinë e tyre, ku rikthehen tifozët pas dënimit të marrë për invadim të fushës në ndeshjen me Erzenin. Për më tepër, u duhet të mbajnë moralin lart, pasi mesjavën e ardhshme luajnë ndeshjen e kthimit me Tiranën në Kupën e Shqipërisë.

PROBLEMET – Verilindorët kanë probleme përpara këtij dueli. Trajneri Bledar Devolli do të ketë mungesa të rëndësishme, ku i pari është mbrojtësi Nikolin Duka, i skualifikuar për shkak se ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë. Mbrojtja gjithsesi mund të sajohet, ndërsa problemi më i madh për trajnerin Devolli është sulmuesi Mustafa Salami. Lojtari është dëmtuar në momentin e shumë diskutuar të penalltisë së mohuar në ndeshjen me Tiranën, ku mori një goditje në këmbë dhe pastaj pati hematomë. U mendua se nuk do të ishte dëmtim i rëndë, por sipas të gjitha gjasave, nigeriani do të detyrohet të bëjë të paktën këtë javë stop.

Sulmuesi 22-vjeçar është futbollisti më i spikatur te kuksianët, një nga titullarët e padiskutueshëm. Mjafton të thuhet se ai ka luajtur në të gjitha ndeshjet këtë kampionat dhe nuk është rastësi që të katërt trajnerët që kanë stërvitur Kukësin këtë edicion e kanë pasur atë pikën e referimit. Duke qenë se tani përparësi ka kalimi në finale e Kupës, ku shanset janë të mëdha pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë kundër Tiranës, klubi mund ta ruajë Salamin në kampionat për ta pasur gati mesjavën e ardhshme.

Megjithatë, deri të premten mbetet për t’u parë nëse do të ketë një shans për këtë lojtar. Duhet thënë se për asnjë ndeshje trajneri Bledar Devolli nuk e ka pasur të plotë skuadrën, zakonisht për arsye dëmtimesh. Nga ana tjetër, disa lojtarë janë larguar para mbylljes së kampionatit, duke e ngushtuar edhe më shumë rrethin e lojtarëve, ku stafi mund të mbështetet në këto javë të fundit të kampionatit.

Whatsapp Image 2024 04 17 At 13.02.19 2
Whatsapp Image 2024 04 17 At 13.02.19 2

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb