TIRANE – Pas vdekjes së nënës dhe foshnjës në maternitetin ‘Koço Gliozheni’, mjekët e këtij spitali që u akuzuan për mjekim të pakujdesshëm, Dritan Decka dhe Helidon Klosi janë rikthyer dje në detyrë.

Në një intervistë për “InTV”, drejtoresha e këtij materniteti, Rubena Moisiu deklaroi se mjekët janë paraqitur në punë me lot në sy dhe kanë falënderuar kolegët për mbështetjen.

“Mjekët e liruar kanë ardhur në detyrë me lot në sy. Nuk me duken akoma në gjendje 100% pune. Ne jemi në pritje të përfundimit të ekspertizës mjekoligjore dhe të përfundimit të hetimeve. Ka patur probleme këto ditë, sidomos të premten, të shtunën, të dielën me nëna të reja të cilat kishin frikë të vinin, me familjarët ka patur probleme midis familjarëve dhe mjekëve. Megjithatë ka ardhur duke u zbutur pak. Këtu puna ka vazhduar, çdo ditë janë bërë 18 ose 20 lindje”- deklaroi Moisiu.

Prokuroria kërkoi masën 45 ditë burg për dy mjekët primarë në maternitetin ‘Koço Gliozheni’, Dritan Decka dhe Helidon Klosi, pas vdekjes së 35-vjeçares Aida Cajka dhe foshnjës që ajo priste të sillte në jetë. Por gjykata rrëzoi prokurorinë dhe vendosi masën ‘detyrim për paraqitje’ për dy mjekët, të cilët kanë rinisur punën në spital.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb