Autoritetet franceze kanë vendosur të ndalojnë shitjen, posedimin dhe transportin e fishekzjarrëve përpara festës kombëtare të 14 korrikut të premten, pas trazirave serioze të kohëve të fundit në përgjigje të të shtënave nga policia ndaj një të riu.

Ndalimi, i vendosur të dielën, do të zbatohet deri të shtunën, një ditë pas Ditës së Bastiljes.

Ai përjashton organizatorët e shfaqjeve profesionale të organizuara tradicionalisht për të shënuar këtë ditë në shumë qytete franceze.

”Përfaqësuesit dhe banorët që kam takuar anembanë vendit janë në fakt mjaft nervozë lidhur me festën kombëtare dhe incidentet e mundshme të ripërtëritjes”, tha kryeministrja Élisabeth Borne për gazetën ”Le Parisien” pasi ajo kishte vendosur ndalimin.

”Një prani e madhe policore do të ishte në dispozicion për të mbrojtur popullin francez në ditën e tyre kombëtare”, tha ajo.

Ditë të tëra trazirash shpërthyen në të gjithë Francën pas vrasjes së një djali 17-vjeçar gjatë një ndalimi nga policia të automjetit që ai drejtonte.

Një ndalim për shitjen dhe posedimin e fishekzjarreve ishte vendosur tashmë në disa rajone.

Në kufirin belg po kryhen kontrolle për të bllokuar importin e fishekzjarrëve dhe së fundmi në Paris janë konfiskuar rreth 1,5 tonë fishekzjarre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: