Të gjitha qytetërimet, si një nga nxitësit kryesorë kanë patur lakminë për më shumë troje, pasuri dhe pushtet. Sipas filozofit gjerman Frederik Engels që nga antikiteti e deri më sot, forca lëvizëse e çdo qytetërimi ka qenë lakmia e pastër, pasuri, përsëri pasuri edhe përsëri pasuri, pasuri jo e shoqërisë, por e individit të vetëm të “sëmurë”. Ky ishte qëllimi i tij i vetëm dhe përfundimtar.
Fatkeqësisht në Shqipëri fondet publike janë bërë objekt i kësaj lakmie nga një grup personash, të cilët i bëjnë karshillëk jo vetëm njerëzve më të varfër në Europë, por edhe institucioneve të drejtësisë. Një nga institucionet që ka portofolin më të madh të investimeve publike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka qenë nën akuzë se këto fonde janë tenderuar para kohe përpara fushatave zgjedhore.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting” rezulton se fondet publike nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë tenderuar pa një plan të qartë për investim, por janë prokuruar vetëm për t’i dërguar fondet drejt kompanive pranë qeverisë, për kompanitë e lidhura me njerëzit e lidhur me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit në shkelje të ligjit. Madje Drejtori i Përgjithshëm dhe personat e lidhur fshehin pasuritë duke treguar një tablo të errët të zyrtarëve të lartë, që janë pasuruar në dëm të shqiptarëve.
Ky institucion që ka statusin e një organizate jofitimprurëse është themeluar në vitin 1993 me mbështetjen e Bankës Botërore dhe qëllimi i tij ka qenë lehtësimi i varfërisë, veçanërisht në zonat rurale të vendit. Në shumë raste, banorë të këtyre zonave janë prekur nga projektet, të cilat nuk kanë patur një planifikim efikas.
Në vitin 2009, Fondi u riorganizua dhe Kuvendi miratoi një ligj të ri për funksionimin e tij. Misioni i ri synonte zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik dhe zgjerimin e institucionit në rang kombëtar. Qeveritë u ndërruan, institucionet publike ranë dhe të tjera u krijuan, por kjo organizatë u bë akoma më e fuqishme duke thithur grante dhe kredi në emër të qeverisë shqiptare.
Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, Fondi Shqiptar ka realizuar disa investime infrastrukturore, por kostoja ka qenë shumë e lartë dhe impakti nuk ka qenë domethënës.
Tendera pa plan për “miqtë” e Qeverisë
Në maj 2023, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm Dritan Agolli do të shpallte fitues kompaninë “Salillari” sh.p.k me ofertë 374 milionë lekë ose 3.7 milionë euro për projektin “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë “Dua të luaj” (rajoni 3 dhe 4) që përfshinte qytetet Berat -Vlorë-Korçë-Gjirokastër, Marrëveshje Kuadër.

Sipas “Openprocurement.al”, një shërbim i Open Data Albania ky tender është shënuar me flamur të kuq pasi kemi mungesë konkurrence. Shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumenti në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste.
Ky projekt ka dritëhije, të cilat lidhen me afatet e punimeve dhe mundësinë e devijimit të qëllimit të tenderit.
Në Berat te “Stadiumi i Vjetër”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka krijuar një kënd sportiv për lojëra të ndryshme për fëmijët.
Teksa në Berat zona e braktisur është rivitalizuar nga e zërat e fëmijëve, në qytetet e tjera ku shtrihet ky projekt nuk kemi asgjë që të lidhet me lojërat apo aktivitetet për fëmijët.
Konkretisht në Korçë dhe në Vlorë, ky investim merret me rregullimin e pistave të vjetra të aviacionit dhe është e habitshme se si rregullimi i pistës lidhet me aktivitetin e lojërave për fëmijë. Në dokumentet e siguruara nga “Vetting” nuk rezulton asnjë projekt apo objekt argëtimi për fëmijët që të lidhet me tenderin. Në Korçë janë ndërtuar vetëm dy godina për pistën e aviacionit ndërsa në Vlorë sapo kanë filluar punime, të cilat janë ndërprerë. Madje tenderi në Vlorë është me afat 8 muaj dhe punimet kanë filluar në shkurt 2025.

Pra, praktikisht në tender dhe në faqen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kemi imazhe me fëmijët, por në realitet kemi disa zhvillime, që lidhen me pistat e aviacionit. Ajo që e bën më interesante këtë kontratë është fakti se kjo procedurë ka qenë e kufizuar. Në këtë rast, marrin pjesë disa kompani në fazën e parë, të cilat përzgjidhen nga FSHZH-ja për të bërë ofertë në fazën e dytë. Për këtë procedurë miratohet një urdhër prokurimi nga drejtuesi i institucionit, që duhet të shpjegojë arsyet se pse është bërë ky tender i kufizuar, ndërkohë që shumë mirë punimet për lodrat për fëmijët mund t’i realizonin me dhjetëra kompani.

Madje të njëjtët persona që kanë bërë projektin, rezultojnë ata që do të mbikëqyrnin punimet për tenderin si inxhinierët Krenar Dila dhe Erjon Këri. Të dy këta inxhinierë rezultojnë anëtarë të këshillit te kompania “Sol Energy”, e cila është në pronësi të “4 KPPF” e Fatrit Petku, që ka fituar tenderin për mbikëqyrjen e projektit. Ndërkohë që të dy personat janë pjesë e grupit të inxhinierëve dhe njëkohësisht aksionerë të kompanisë “ARKONSTUDIO” e cila ka bërë projektin. Ky fakt ngre pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi dhe cenueshmëri të mbikëqyrjes së punimeve pasi edhe nga ajo që kemi zbuluar, kompania nuk ka mbaruar punimet.

Por, tenderi për mbikëqyrjen është dhënë në shkelje të procedurave të prokurimit publik nga Dritan Agolli pasi kompania nuk plotëson kriterin e xhiros vjetore, që duhet të jetë minimalisht sa dyfishi i fondit limit, pra 27 milionë lekë. Kompania në këtë rast duhej të ishte skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe duhet të ishte shpallur fituese kompania që ishte e renditur në vend të dytë.
Por ky nuk është i vetmi rast pasi Avdi Kasaj, një nga banorët e zonës së Seferanit në Belsh është përplasur me institucionet për shkak të investimeve dhe pretendon se i është dëmtuar prona dhe pemët që gjenden në të pa u dëmshpërblyer.
“Ja kjo është puna ime si invalid pune, ndërsa sot u bëra gjysmë robi, s’më punon më veshka. Nga gjithë kjo puna e rëndë këtu duke pastruar gurët dhe ferrat”, tha për “Vetting” Avdi Kasaj.
Në dhjetor 2020 bashkimi i kompanive “Vëllezërit Hysa” sh.p.k dhe “Franko Construction” sh.p.k do të lidhnin kontratën me vlerë 283 milionë lekë me TVSH me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për zhvillimin e atraksioneve turistike duke u mbështetur mbi potencialet lokale. Kontrata ndahet në preventive, të cilat përfshijnë zonat turistike të Bashkisë Belsh, Bashkisë Dimal, rrugën Rrajcë-Sulaj dhe fshatin e Bogovës në Bashkinë Skrapar. Sipas FSHZH-së, projekti do të kishte vonesa me punimet për shkak të përplasjeve me banorët e zonës së Marinzës në Belsh.

Nga kontrata e siguruar nga “Vetting”, edhe në qytetin e Dimalit ky projekt nuk është realizuar 100%. Bie në sy fakti që projektuesit e tenderit, në këtë zonë kanë vendosur se duhet të mbillen pemë të ndryshme me vlerë 1500 euro, të cilat nuk gjenden asgjëkundi në këndin e lojërave për fëmijët. Në korrenspondencën e fundit me “Vetting”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit deklaroi se procedura ishte në auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Sipas kryetarit të lëvizjes “Shqipëria bëhet” Adriatik Lapaj, në Shqipëri ka mbi 6 mijë kompani ndërtimi, por ndërkohë 5 apo 10 prej tyre janë ato që fitojnë shumicën e tenderave publikë te FSHZH-ja.
“Në sektorin në fjalë mjafton t’u referohesh të dhënave dhe rezulton qartë që paratë publike shkojnë në pak duar. Ky është një alarm i kuq i madh që duhet të na bëjë të na mendojë që paratë publike shkojnë në drejtimin e gabuar” tha për “Vetting” Adriatik Lapaj.
(BalkanWeb)