SARANDË- Babë e bir janë përfshirë në një ngjarje tragjike pak pas mesditës së sotme në liqenin e Butrintit. Mësohet se Edmond dhe Santiago Shahini, përkatësisht 48 dhe 18 vjeç kishin dalë për të peshkuar por ndërsa po mblidhnin rrjetat, varka ka marrë uje nga dallgët dhe është fundosur.

Pas shumë përpjekjesh 18-vjeçari ka arritur të shpëtojë, ndërsa babai i tij nuk ka dalë më në sipërfaqe.

Shërbimet e Policisë të Komisariatit Sarandë po punojnë për gjetjen e trupit të këtij shtetasi si dhe janë njoftuar Shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, të bashkëpunojnë për gjetjen e tij.

Ndërkohë që një 24-vjeçar është mbytur në grykëderdhjen e lumit Vjosë rreth orës 13:20 të ditës së sotme. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në grykëderdhjen e lumit Vjosë, kanë qenë 4 shtetas duke lundruar mbi një varkë me qëllim për të kaluar në anën tjetër të lumit.

Në mes të lumit, varka është përmbysur dhe 3 prej këtyre shtetasve kanë mundur të dalin nga lumi duke notuar, ndërsa njëri prej tyre, i identifikuar si Vasil Kola, 23 vjeç, nuk ka mundur t’ia dalë dhe për pasojë dyshohet të jetë mbytur në ujë pasi ende nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Shërbimet e Policisë së Vlorës ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për gjetjen e trupit të 23-vjeçarit me banim në fshatin Poro, Vlorë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb